gus82017
Një studim mbi plakjen vaskulare të shëndetshme dhe faktorët e riskut
Një studim i publikuar në revistën "Hypertension" është përpjekur të hedhë dritë mbi faktin nëse mund të shmanget reduktimi i funksionalitetit vaskular që lidhet me moshën, i konsideruar si i pashmangshëm gjatë plakjes. "Kemi vlerësuar prevalencën, faktorët dhe prognozën e një plakjeje të shëndetshme vaskulare në 3.196 pjesëmarrës në studimin Framingham, me moshë 50 vjeç e sipër, - shprehet Teemu Niiranen autori kryesor i studimit nga National Heart, Lung and Blood Institute's, i cili shton. - Po ashtu kemi përcaktuar si parametra të plakjes së shëndetshme vaskulare, mungesën e hipertensionit dhe shpejtësinë e valës sfigmike nën 7.6 m/s".
Në tërësi, 566 individë (17.7%) kanë pasur një plakje të shëndetshme vaskulare, me një prevalencë në rënie nga 30.3% te personat me moshë 50 - 59 vjeç, në 1% te individët në moshë mbi 70 vjeç. Në modelet e regresionit të përshtatura sipas aktivitetit fizik, konsumit të kalorive dhe faktorëve tradicionalë të riskut të sëmundjes kardiovaskulare: mosha më e re, seksi femëror, indeksi më i ulët i masës trupore, përdorimi i barnave anti-lipide dhe mungesa e diabetit melit janë të lidhura me një plakje të shëndetshme vaskulare. Gjatë një follow-up 9.6 mujor janë verifikuar 391 evente kardiovaskulare.
Edhe nëse plakja e shëndetshme vaskulare është e realizueshme te individët që nuk ndjekin një stil perëndimor jetese, mbajtja në normë e funksionit vaskular mbi 70 vjeç është një sfidë e vërtetë. Studimi mbështet strategji parandalimi që synojnë modifikimin e faktorëve dhe sjelljeve në veçanti, (si shmangien e obezitetit) për të parandaluar ose vonuar plakjen vaskulare dhe riskun që lidhet me sëmundjet kardiovaskulare. "Gjëja më e rëndësishme sa i përket këtij studimi është se na inkurajon për të vazhduar me kërkime të cilat përqendrohen në një grup të shëndetshëm njerëzish për të kuptuar faktorët që lidhen me fenotipin e tyre", shprehen Gemma Currie dhe Christian Delles nga Institute of Cardiovascular and Medical Sciences, University of Glasgow, në një editorial shoqërues. "Kjo qasje bie në kundërshtim me atë tradicionale, në të cilën kërkuesit studiojnë të sëmurët për të kuptuar faktorët e riskut për sëmundjen. Ndërsa ky studim i hap rrugën një kërkimi të ardhshëm mbi faktorët mbrojtës, që jo vetëm përmirësojnë kuptimin tonë të fiziopatologjisë së sëmundjeve vaskulare, por ofrojnë dhe instrumente të reja parashikuese, diagnostikuese e terapeutike", përfundojnë kërkuesit.
Hypertension. 2017. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.117.09026 http://hyper.ahajournals.org/content/early/2017/05/30/HYPERTENSIONAHA.117.09026
Hypertension. 2017. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.117.09122 http://hyper.ahajournals.org/content/early/2017/05/30/HYPERTENSIONAHA.117.09122