sht62017
Dietat me përmbajtje të lartë karbohidratesh rrisin vdekshmërinë kardiovaskulare
Konsumi i lartë i karbohidrateve lidhet me një rritje të riskut të vdekshmërisë, ndërsa lipidet jo vetëm që lidhen me një vdekshmëri totale më të ulët, por nuk lidhen me asnjë rritje të sëmundshmërisë apo vdekshmërisë kardiovaskulare. Nga ana tjetër, yndyrnat e ngopura kanë një lidhje të ndryshme me iktusin. Në këtë përfundim ka arritur studimi PURE (Prospective Urban Rural Epidemiology) i drejtuar nga Mahshid Dehghan nga McMaster University, Hamilton, Kanada dhe i publikuar në The Lancet.
"Sipas këtyre rezultateve udhëzimet ushqimore duhet të rishikohen herë pas here" shkruajnë kërkuesit duke kujtuar se marrëdhënia midis makronutrientëve, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë vazhdon të jetë kontroversale. "Duke qenë se pjesa më e madhe e të dhënave mbi argumentin vijnë nga Europa dhe Amerika Veriut, aty ku tepria e ushqimit është më e mundshme, aplikimi i përgjithshëm i tyre nuk është i qartë", saktëson epidemiologia.
"PURE është një studim epidemiologjik i zhvilluar mes viteve 2003 dhe 2013, në të cilin kanë marrë pjesë 135.335 individë nga 18 shtete me moshë 35 në 70 vjeç, të ndjekur mesatarisht për 7.4 vjet dhe të vlerësuar nga pikëpamja ushqimore me pyetësorë të ndryshëm", shpjegon ajo. Në këtë grup autorët kanë verifikuar korrelacionin midis konsumit të karbohidrateve, yndyrnave, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë totale. Duke zbuluar ndër të tjera se në pjesën më të madhe të dietave 60% e konsumit të energjisë vjen nga karbohidratet dhe vetëm 24 % nga lipidet. "Në vend që të përqendrohemi në reduktimin e yndyrnave ushqimore, udhëzimet në fakt duhet të na këshillojnë që të reduktojmë karbohidratet", nënvizojnë kërkuesit.
Në një editorial komentues nga Christopher Ramsden dhe Anthony Domenichiello të National Institute on Aging, Bethesda, Maryland, shkruajnë: "Të dhënat e PURE sfidojnë principet tradicionale ushqimore, në pjesën më të madhe mbështetura në të dhënat vëzhguese të mbledhura nga popullsitë europiane dhe amerikanoveriore, duke e bërë të paqartë konceptin e dietës së shëndetshme, paqartësi që me shumë mundësi do të mbetet e tillë deri në zhvillimin e studimeve të tjera të randomizuara dhe të mirë-projektuara".
The Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)32252-3
http://dx.doi.org/10.1016/S0140-6736(17)32252-3
The Lancet. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)32241-9
http://dx.doi.org/10.1016/S0140-6736(17)32241-9