sht42023
Hipertensioni dhe rreziqet nga konsumimi i jamballit
Konsumimi i shpeshtë dhe në sasi të papërshtatshme i jamballit dhe produkteve që derivojnë prej tij, nga ëmbëlsirat te suplementet, mund të rrisë rrezikun për intoksikim me simptoma të hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Agjencia Franceze e Sigurisë Ushqimore (ANSES) ka publikuar së fundi disa rekomandime për përdorimin e jamballit duke u bazuar edhe te të rastet e intoksikimit të raportuara gjatë periudhës 2012-2021.
Gjatë kësaj periudhe, 64 persona janë intoksikuar pasi kanë konsumuar pije apo ushqime me përmbajtje jamballi. Sipas raportit të Agjencisë, gati gjysma e këtyre rasteve ishin serioze, me simptoma të hipertensionit dhe sëmundjeve të zemrës. Edhe pse, në përgjithësi, evolucioni i simptomave nuk ishte tepër serioz, me vetëm një rast ekstrem që shkaktoi vdekjen të një pacienti nga intoksimimi i cili u kombinua me sëmundjen e avancuar të mëlçisë.
ANSES thekson se këto intoksikime nuk janë shkaktuar nga konsumimi normal, por nga përdorimi i papërshtatshëm dhe shpeshtë i jamballit. Produktet e konsumuara ishin kryesisht pije joalkoolike në sasi të mëdha të konsumuara çdo ditë. Të pasuara nga pijet alkoolike (pastis, doza e konsumuar 400-2000 ml në ditë), ëmbëlsirat (p.sh. konsumimi i një kutie ëmbëlsirash në ditë), çajrat bimor, suplementet ushqimore (marrja e disa tabletave në vend të një, etj.) dhe shurupi me përmbajtje jamballi. Agjencia rekomandon që të mos kalohen 10 mg glicirizinë në ditë (përbërësi aktiv i ekstraktit të jamballit), duke pasur kujdes që kjo dozë të mos merret nga burime të tjera si ushqimi, barnat ose derivatet e duhanit.
Agjencia pranon, megjithatë, se mund të jetë e vështirë për konsumatorin të dijë nëse konsumi i tij është i tepruar dhe sugjeron ndryshimin e etiketimit të produkteve që përmbajnë jamball ose derivatet e tij për të përmirësuar informacionin për popullatën. Por jo vetëm kaq, Agjencia propozon gjithashtu shtimin e deklaratës "përmban jamball" në të gjitha produktet, pavarësisht nga sasia, si dhe ndryshimin e deklaratës "njerëzit me hipertension duhet të shmangin konsumin e tepërt" (ekziston me të vërtetë një rrezik për hipertension në rast të konsumit të tepërt edhe te njerëzit e shëndetshëm) me shprehjen "konsumimi i tepërt dhe/ose i rregullt ju ekspozon ndaj rrezikut të hipertensionit dhe efekteve të tjera negative që mund të jenë serioze, prandaj ky produkt duhet të konsumohet me masë".