Mirëqenie

kor232024

Rriqrat, bletët, grerëzat normale dhe aziatike. SIMA: Ja, si të mbroheni dhe çfarë të bëni në rast pickimi

Çfarë të bëni nëse pickoheni nga rriqrat? Po sikur të pickoheni nga një grerëz normale apo aziatike? Me qëllim që të marrim një përgjigje mbi këto pyetje, Shoqata Italiane e Mjekësisë Mjedisore (SIMA) nxori disa udhëzime praktike mbi mbrojtjen nga kafshimet dhe pickimet, si dhe mbi ndërhyrjen e duhur në rast kontakti me to. Premisa e SIMA është se me rritjen e temperaturave dhe me tregun e globalizuar, që nxisin përhapjen e specieve shtazore të reja, si dhe me të nxehtin e verës, që përshpejton zhvillimin e insekteve, ka gjithmonë gjasa që njerëzit të kenë kontakt me specie që mund të pickojnë e të shkaktojnë probleme shëndetësore te ata vetë dhe në mjedisin e përgjithshëm. Këto ditë po shtohen episodet e pickimeve nga grerëzat normale dhe ato aziatike, një tendencë kjo që lidhet direkt me valët e të nxehtit. Temperaturat e larta i irritojnë shumë këto insekte, të cilat i mbrojnë foletë e tyre me akoma më shumë agresivitet. I nxehti shpejton zhvillimin e insekteve, të cilat kërkojnë më shumë ushqim dhe ujë, duke i shtyrë të kenë më shumë kontakt me njerëzit dhe duke rritur numrin e rasteve të pickimeve. Pastaj, rritja e temperaturave mesatare, së bashku me globalizimin e tregut, shkakton përhapjen e specieve të reja shtazore si çimkat aziatike, karkalecat afrikanë, brumbujt japonezë, milingonat e kuqe, etj., të cilat në këtë të nxehtë, gjejnë një habitat gjithnjë e më ideal për të jetuar dhe për t'u shumuar.

Udhëzime praktike për t'u mbrojtur nga pickimet dhe kafshimet
SIMA përpiloi disa udhëzime me qëllim që t'u vijë në ndihmë qytetarëve në mbrojtjen nga kafshimet dhe pickimet, duke ndërhyrë siç duhet në rast kontakti me insekte.

Rriqrat
Habitati i tyre janë vendet plot barishte dhe shkurre, ku klima është e freskët dhe e lagësht. Anhidridi karbonik që çlirohet nga trupi i njeriut i tërheq këta parazitë, të cilët mund të sulmojnë lëkurën, me qëllim thithjen e gjakut. Rriqrat mund të jenë vektorë sëmundjesh të transmetueshme te njeriu, si borrelioza e Lime, ehrlichiosis, ethet rikeciale, tularemia, ethet Q, babezioza, encefaliti viral, si edhe ethet hemorragjike Krime-Kongo.

Si të mbroheni: vishni rroba në ngjyrë të hapur, që e bëjnë më të lehtë identifikimin e rriqrave, mbuloni krahët dhe këmbët, shmangni barin në skajet e shtigjeve, mos hyni në zona me bar të lartë. Përdorni produkte kundër rriqrave te kafshët shtëpiake.

Çfarë të bëni në rast pickimi: mos përdorni kurrë alkool, benzinë, aceton, trielinë, amoniak, vaj ose yndyra dhe as objekte të nxehta. Rriqrat duhet të hiqen me kujdes me anë të një pincete, duke u kujdesur që mos të shtypet shumë trupi i tyre, me qëllim që të shmanget regurgitimi, i cili do të shtonte mundësinë e transmetimit të agjentëve patogjenë. Pas heqjes së tyre, dezinfektoni zonën, duke shmangur prekjen e tyre direkt me duar. Në rast se keni shfaqje të simptomave të sëmundjes (temperaturë, dhimbje koke, dobësi, dhimbje artikulacionesh) konsultohuni menjëherë me mjekun.

Mushkonja tigër
Ekzistojnë rreth 3000 specie mushkonjash në të gjithë botën. Nga këto, me e frikshmja është mushkonja tigër, e cila përhapet në vendet ujore (kova, kanaçe për ujitje, pjata vazosh, kullues, puseta etj.)
Ndër sëmundjet e transmetuara te njeriu nga këto mushkonja, ekzistojnë disa shumë të rënda, si virusi i etheve tropikale (dengue), chikungunya dhe ethet e verdha.

Si të mbroheni: eliminoni habitatin e tyre, duke shmangur grumbullimin e ujërave në pjatat e vazove, kanaçet e ujitjes, bidona, etj.; ujitini kopshtet dhe lulet direkt me pompa; trajtojini pjesët e jashtme të shtëpive ku mblidhet uji çdo 7-10 ditë me produkte specifike për përdorim shtëpiak; përdorni spërkatës kundër mushkonjës tigër, të cilët përbëhen nga principe aktive, si DEET dhe ikaridina. Në vendet e mbyllura përdorni avullues elektrikë kundër mushkonjave, duke i mbajtur ambientet e ajrosura.

Çfarë të bëni në rast pickimi: mos u kruani, me qëllim që të shmangni zgjerimin e thumbimit të pranishëm rreth pickimit të injektuar nga mushkonja; përdorni produkte specifike që lehtësojnë kruajtjen, të cilat mund të gjenden lehtësisht në treg; vendosni akull në vendin e pickimit. Në rast ënjtjeje, konsultohuni me mjekun ose farmacistin.

Bletët, grerëzat normale dhe aziatike
Në pjesën më të madhe të rasteve, pickimet e bletëve, grerëzave normale dhe aziatike, shkaktojnë një reaksion rajonal për shkak të helmit të injektuar nga himenopteri, me manifestim kutan në diametër prej pak centimetrash, dhimbje, skuqje dhe ënjtje. Më agresivet janë grerëzat nomale, habitati natyral i të cilave janë pemët, çatitë, pirgjet e drurit, pellgjet e ujit, shkurret, grumbulluesit e mbeturinave. Afro 10% e individëve të pickuar nga këto insekte zhvillojnë reagime të konsiderueshme, si urtikarie të gjeneralizuar, të përziera, të vjella, dispne dhe vështirësi respiratore, rënie tensioni. Në disa raste mund të zhvillohet edhe shok anafilaktik me rënie drastike të tensionit arterial, që mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Si të mbroheni: vendosni rrjeta në dyer dhe dritare; menaxhojini siç duhet mbetjet dhe ushqimet; shmangni braktisjen e pakontrolluar të substancave organike (sidomos të sheqerit, mishit dhe substancave të tjera proteinike) të cilat i tërheqin jashtëzakonisht bletët, grerëzat normale dhe aziatike; ruani qetësinë dhe mos u përpiqni asnjëherë t'i përzini me gjeste me duar, pasi mund ta shtyjnë insektin të pickojë.

Çfarë të bëni në rast pickimi: në rast pickimi nga bleta, duhet të hiqni menjëherë thumbin me anë të një pincete; për të gjitha pickimet, aplikoni akull për uljen e inflamacionit të prodhuar nga helmi; mos u kruani me qëllim shmangien e baktereve që mund të shkaktojnë infeksion; nëse reaksioni vazhdon, përdorni menjëherë një kortizonik dhe një antihistaminik. Nëse reaksioni është i rëndë, thërrisni me shpejtësi ndihmën e shpejtë.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC