sht302014
Ndryshimet në Urdhrin e Farmacistëve. Presidenti zgjidhet nga Këshilli Kombëtar me mandat 5 vjeçar.
Këto ditë janë diskutuar në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë ndryshimet në Ligjin e Urdhrit të Farmacistëve. Debatet më të mëdha i ka tërhequr mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Urdhrit, mosha dhe kohëzgjatja e mandatit të tij, si dhe bashkëpunimi i Urdhrit me Institucione të tjera si Ministria e Shëndetësisë, etj.
Për të qënë më të qartë, propozimi aktual është që Presidenti i Urdhrit të Farmacistit të mos zgjidhet më nga Asambleja Kombëtare, por nga Këshilli Kombëtar me të drejtë rizgjedhjeje prej dy mandatesh.
Tërhoqi vëmendjen në këtë diskutim fjala e Z. Jaupllari i cili propozoi që Presidenti i UFSH të zgjidhet me parimin një anëtar një votë, zgjedhje që sipas tij do të forconte demokracinë e brëndshme të UFSH.
Një tjetër diskutim që përfshiu anëtarët e Komisionit ishte dhe mosha e kandidatit për President të UF. Sipas Z. Vasili ligji i ri nuk duhet të kufizojë me moshën e pensionit kandidatin për president të UFSH. Kjo do të thotë që kandidati mund të kandidojë dhe në moshën 70-75 vjeçare.
Ndërsa për sa i përket bashkëpunimit me Institucionet e tjera si psh Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit etj, tërhoqi vëmendjen propozimi i Z. Florian Xhafa, konsulent juridik pranë UFSH, i cili propozoi që detyrimi për përfshirje në vendimarrje të mos shprehet në ligjin e UFSH por në ligjet e Institucioneve perkatëse. Sipas z. Vasili kjo redukton në mënyrë të ndjeshme mundësinë e pjesëmarrjes së UFSH në hartimin e shumë projektligjeve të sektorit.
Na mbetet të presim se kur, sa dhe si do te hyjnë në fuqi këto ndryshime të propozuara për ligjin e UFSH.