jan202015
Ngritja e rrjetit mjek-familje-farmacist, shërbim që duhet të hyjë edhe në Shqipëri
"Farmacisti i familjes" është një shërbim që ofrohet prej kohësh në vendet e BE-së, por që në shërbimin farmaceutik shqiptar mungon. Informacioni i mangët që shpesh pacientët kanë në lidhje me përdorimin e barnave si p.sh. për dozimin, kohëzgjatjen e administrimit të tyre etj., ka rezultuar me ndërlikime për shëndetin dhe perceptimin për një funksionim të çalë të shërbimit farmaceutik. Për të reduktuar në minimum risqet, duhet të zhvillohet asistimi i pacientit në një rrjet që përfshin mjekun, familjen dhe farmacistin. Ky i fundit ka një rol shumë të rëndësishëm dhe duhet të jetë gjithnjë e më shumë i përfshirë në këtë raport sepse është ndërmjetësi mes mjekut dhe familjes. Arjan Jaupllari, president Nderi i Urdhrit të Farmacistëve, mbi këtë çështje thotë: "Ne kemi hedhur idenë që edhe në farmacitë shqiptare, të shkojmë drejt asaj që po shkon e gjithë bota, drejt kujdesit farmaceutik ndaj familjes, pra që farmacia të mos shihet thjesht si një njësi tregtare, ku mund të shesësh dhe të blesh ilaçe, por para së gjithash ajo është një njësi shëndetësore, e cila duhet të ketë përkujdes farmaceutik. Nga ana e farmacistit duhet mbajtur një minikartelë, duke komunikuar me mjekun e familjes të të sëmurit, farmacisti duhet të interesohet edhe për simptomat dhe të kthehet në një mjek të dytë për të sëmurin. Kjo do të jetë e ardhmja e shërbimit farmaceutik dhe sigurisht që për këtë, farmacisti do të paguhet për shërbimet shtesë siç janë matja e tensionit, analiza e diabetit, dhe të tjera analiza të lejueshme nga shteti".
Farmacia është vendi ideal ku modalitetet e dhënies së barnave mund të gjejnë një hapësirë njohjeje më të madhe e cila duhet ndarë më pas me familjen. Një shembull konkret është rasti i trajtimit të fëmijëve me barna, ku farmacisti i familjes përfaqëson një figurë kyçe. Një nga burimet më të mëdha të gabimeve është dozimi i barnave nëpërmjet lugëve, sepse secili nga ne ka konceptimin e tij në lidhje me termin ''lugë''. Një ndryshim doze te fëmijët ka një ndikim shumë më të madh se te një i rritur dhe janë shumë të zakonshme mbidozimet që sjellin edhe mungesën e efikasitetit. Është e rëndësishme që të bëhen formulime të cilat favorizojnë shijen dhe që të përballojnë refuzimin e vazhdueshëm nga fëmijët në administrimin oral. Duhet folur për këtë me familjen për të gjetur në çdo rast zgjidhjen më të mirë. Një rast tjetër është vëmendja që duhet të tregohet ndaj moshës së tretë duke nisur nga dorëzimi në shtëpi i barnave te personat në pamundësi për të shkuar në farmaci deri te këshillimi i kujdesshëm për përdorimin e tyre. Shërbimi i farmacistëve të familjes duhet të jetë një mjet efikas informacioni dhe subjekt i rëndësishëm në parandalim edhe në Shqipëri.