shk32015
Gripi në Shqipëri. 30% pacientë të prekur më shumë se viti i kaluar
Fundi i janarit dhe ditët e para të muajit shkurt klasifikohen nga ekspertët e shëndetit publik si më problematikët për shkak të shpërthimit të epidemisë së gripit. Sipas të dhënave të raportuara nga
Instituti i Shëndetit Publik, këtë vit rezultojnë 30% më shumë të prekur nga gripi apo infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në një komunikatë në faqen zyrtare të tij thuhet se "Shqipëria është duke përjetuar një intensitet të lartë të infeksioneve respiratore si një pjesë e mirë e rajonit Europian. Viruset që qarkullojnë këtë vit janë
AH1N1pdm09 dhe AH3N2 të cilët janë të përfshirë në vaksinën e Gripit" . Sa i takon vaksinave thuhet se mbulimi është në masën 99%: Mbulimi vaksinal 77% ; Spitalet 47% ; Q.SH. 84%
Mjekët e ISHP-së pohojnë se gjatë dy javëve të fundit ka pasur rreth 18 mijë raste më shumë të pacientëve të infektuar me grip. Situatat më problematike, sipas ISHP-se, paraqiten në zonat e thella ku janë marrë masat paraprake për përballimin e situatës.
Ndërkaq edhe në shtetin fqinj, Itali, numri i të prekurve me grip ka arritur pikun në fillim të këtij muaji. Rreth dy milionë italianë janë prekur nga gripi sezonal dhe numri mendohet të rritet deri në mes të shkurtit. Shtimi i rasteve të rënda vjen si pasojë e një varianti të virusit A/H3N2 i ndryshëm nga ai që përmban vaksina në qarkullim. Po ashtu historia e
vaksinës Fluad, në fillim e dyshuar se shkaktoi disa të vdekur në Itali, ka pasur një ndikim negativ në numrin e vaksinimeve, i cili këtë vit ka rënë me 20-30% dhe kjo mund të ketë prurë si rrjedhojë rritjen e personave te prekur dhe rasteve më të rënda në Itali krahasuar me sezonin 2013-2014.