Zyra Rajonale për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka ftuar politikbërësit dhe profesionistët e shëndetit të intensifikojnë vaksinimin kundër fruthit në grupmosha të ndryshme që janë në rrezik. Kjo do të ndihmojë për t'i dhënë fund epidemisë në Evropë dhe për të parandaluar shpërthime të ngjashme në të ardhmen. Shtatë shtete në rajon kanë raportuar 22.149 deri më tani. Kjo situatë sipas OBSH-së ndërlikon qëllimin për ta eliminuar sëmundjen në Evropë deri në fund të 2015-ës. Edhe pse rastet e fruthit janë ulur me 50% nga 2013 në 2014-ën, epidemia vazhdon. Një në tre pacientë me fruth është shtruar në spital.
"Po të kemi parasysh që në dy dekadat e fundit kemi parë një reduktim me 96% të numrit të rasteve me fruth në Evropë dhe se jemi një hap larg eliminimit të sëmundjes, këto shifra na befasojnë. Duhet të koordinohemi për të mbushur boshllëqet në terma imunizimi", pohon Zsuzsanna Jakab, drejtore e OBSH-së për Evropën."Është e papranueshme që pas përpjekjeve të 50 viteve të fundit për të vënë në dispozicion të popullsisë vaksinat e sigurta dhe efektive, fruthi vazhdon të kushtojë jetë njerëzore, kohë dhe para".
Në Evropë vazhdon të rritet numri i të prekurve nga fruthi, për shkak të ekzistencës së personave të ndjeshëm të cilët nuk vaksinohen, veçanërisht për shkak të numrit në rritje të prindërve që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre ose hasin pengesa për të marrë vaksinat. Udhëtimet ndërkombëtare mund të shtojnë rrezikun e ekspozimit ndaj virusit të fruthit. "Prioriteti në këtë moment është vënia nën kontroll e shpërthimeve në të gjitha vendet e prekura nga epidemia. Në të njëjtën kohë, të gjitha vendet, pa përjashtim, duhet të mbajnë një mbulim standard me vaksina kundër fruthit, në mënyrë që të eliminohet njëherë e përgjithmonë", shton Nedret Emiroglu, zv/drejtor i repartit të sëmundjeve të transmetueshme, pranë zyrës rajonale të OBSH-së për Evropën./AIFA
Rastet e sinjalizuara me fruth 2014-2015