Në mbledhjen e datës 13 maj 2015, qeveria miratoi VKM-në për "Përdorimin e barnave për konsum minimal nga udhëtarët", në mbështetje të ligjit "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik". Kështu Këshilli i Ministrave ka vendosur që udhëtarët që hyjnë në territorin e Shqipërisë, të mos kenë nevojë për autorizimin e AKBPM-së për barnat që i përdorin për konsum minimal. Në vendimin e qeverisë përcaktohen disa kritere që lejojnë udhëtarët të marrin me vete në Shqipëri barnat për përdorim personal:
- Nuk mund të përdoren për qëllime promovimi apo tregtimi
- Poseduesi i barit duhet të plotësojë dhe dorëzojë në pikën doganore një deklaratë me shkrim ku së pari pranon se barin e ka për përdorim vetjak dhe së dyti të shkruajë kontaktet e mjekut që ia ka përshkruar barin.
- Në recetën shoqëruese të mjekut duhet të jetë e përcaktuar doza ditore e barit për trajtim, ndërsa sasia e tij nuk duhet të jetë me shumë se për një periudhë 2-mujore.
- Nuk lejohet që barna me kushte specifike transporti, të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore të sillen nga persona të veçantë.
Vendimi për "Përdorimin e barnave për konsum minimal nga udhëtarët" hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren zyrtare.
Në Download Center do të gjeni VKM-në e plotë.