qer92015
Ministria e Shëndetësisë publikon raportin mbi rimbursimet për çdo farmaci
Pas arrestimit të nëntë personave të përfshirë në mashtrimin me rimbursimin e barnave, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, doli në një deklaratë për media ku theksoi se aplikimi i recetës elektronike dhe publikimi i përmuajshëm i barnave të rimbursuara me vlerën e tyre financiare, do të shmangë abuzimet në të ardhmen. Duke iu referuar skandalit që përfshiu disa ditë më parë drejtues teknik dhe punonjës të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, Beqaj u shpreh: "Zbuluam përmes njësisë antikorrupsion në Kryeministri, se ata që deri dje përfitonin në kurriz të qytetarëve përmes çmimeve të larta të barnave, tani që Qeveria uli çmimet, kishin gjetur një mënyrë të re fitimi. Të jashtëligjshme. Përmes recetave fiktive që rimbursoheshin falë një marrëdhënieje publik-privat tërësisht të jashtëligjshme, që sot është zbuluar e plotë... Ne si ministri i mbështesim hetimet e prokurorisë dhe inkurajojmë që të gjithë përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë. Por thjesht dhe vetëm dënimi i atyre që shkelën ligjin në kurriz të qytetarëve nuk mjafton". Ndonëse zbatimi i recetës elektronike ishte njoftuar që para shpërthimit të skandalit, sipas ministrit "receta elektronike është një zgjidhje afatgjatë që do të zhdukë mundësinë e marifeteve të jashtëligjshme në kurriz të qytetarëve".
Si masë tjetër që kjo ndodhi të mos përsëritet më, Beqaj përmendi raportet të cilat Ministria e Shëndetësisë do t'i bëjë të aksesueshme nga të gjithë, çdo muaj në faqen online të FSDKSH-së dhe që kanë të bëjnë pikërisht me sasinë dhe vlerën e barnave të rimbursuara. Raportet e para i përkasin prillit 2015, meqë në këtë muaj hyri në fuqi lista e barnave të rimbursuara me çmimet e ndryshuara dhe receta 2-mujore. Në Download Center gjeni raportet e përmendura më poshtë:
* Raporti mbi sasinë e barnave të rimbursuara të LBR, Prill 2015
*Lëvizja e barnave me rimbursim nga importues/shpërndarës farmaceutikë, Prill 2015
*Vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale të FSDKSH, Prill 2015
Ndërkaq, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat Pjerin Xhuvanin, ish-drejtorin e FSDKSH-së Tiranë dhe Hysni Roçin, pronar i katër farmacive fiktive. Mësohet se ky i fundit ka shfajësuar personat e tjerë të arrestuar si drejtues teknikë të këtyre farmacive dhe është shprehur para prokurorëve se ka përdorur emrat e të arrestuarve Nikollaq Thanasi, Mimoza Tufi, Arens Spahiu, Adelina Manaj, Hasime Tahiraj, për përfitimet e tij personale. Ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë vetëm nëse këta persona lihen të lirë. Ndërsa 3 punonjëse të Fondit: Edlira Mara, Keti Mahmutaj dhe Frida Lamçe do të hetohen me masën e sigurisë "arrest shtëpie". Për të gjithë të sipërpërmendurit Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprat e "Mashtrimit në subvencione", "Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore", "Pastrimit të produkteve të veprës penale", "Shpërdorimit të detyrës".