kor102015
Dompé përuron selinë e saj në Tiranë
Në kuadër të konferencës "Modeli shqiptar, inovacioni strategjik në shëndetësi si motor për rritjen ekonomike", të organizuar dje në Tiranë nga kompania biofarmaceutike Dompé, drejtori i përgjithshëm i grupit, Eugenio Aringhieri i pranishëm në të, dha një intervistë të dytë për Farmcist33.al. Grupi Dompé i fokusuar në zhvillimin e zgjidhjeve terapeutike novatore për sëmundje të rralla, e ka përqendruar përpjekjen e tij edhe në fusha ku nevojat nuk janë përmbushur si diabeti, transplanti i organeve, onkologjia e të tjera. Zoti Aringhieri shprehet optimist për shtrirjen e ketij aktivitetit në Shqipëri e në vazhdimësi në Ballkan.
Z.Aringhieri përse keni zgjedhur Shqipërinë?
Sepse sapo e dëgjuam nga kryeministri, Shqipëria sheh përpara, ka një projekt ambicioz, beson në mundësinë nëpërmjet inovacionit për të arritur një nivel cilësie dhe konkurrence të tillë që mund të luajë lojën dhe ne kësaj i besojmë me bindje dhe kjo ishte një nga arsyet. Me fjalë të tjera, ajo që Kryeministri Rama do të bëjë me vendin është ekzaktësisht ajo që duam të bëjmë ne me kompaninë tonë. Duam të shohim përpara, të përpiqemi nëpërmjet inovacionit të arrijmë standarde cilësore që na lejojnë të jemi pjesë e garës. Dhe prandaj është pikërisht kjo similitudë strategjike që na ftoi të bënim këtë hap.
Çfarë përfaqëson kompania juaj në Shqipëri?
Ne e nisim këtë përfaqësim nëpërmjet një zyre që në një farë mënyre drejton informacionin shkencor në vend. Kemi punësuar 15 persona dhe në thelb kanë detyrën të ndërveprojnë me komunitetin shkencor për një përdorim të përshtatshëm të barnave tona. Pra merren me farmakovigjilencë me informacion shkencor, me zhvillim të njohjes nëpërmjet clinical training, pra një aktivitet i tërë që mundëson përdorimin e duhur të barnave që sot bëjnë pjesë në portofolin tonë dhe të tjerave që do kemi në të ardhmen. Do të kemi 7 barna të reja në tre vitet e ardhshme që do t'i lançojmë në vend, pra padyshim kjo është një pjesë e rëndësishme e misionit tonë.
A jeni informuar, pasi pak kohë më parë nuk ka qenë një klimë e mirë ndërmjet kompanive farmaceutike dhe Ministrisë së Shëndetësisë?
Pa dyshim e dimë, që vendi del nga një sezon sigurisht jo linear, jo transparent dhe besoj se është ky motivacioni që e nxiti qeverinë dhe kryeministrin të përqendrohet në temën e shëndetësisë në përpjekje për t'u shkëputur nga e kaluara, për të kërkuar nëj sistem transparent dhe një ekuilibër mes shërbimeve dhe kostove dhe kjo është legjitime është një element shumë i rëndësishëm, ne jemi mësuar të punojmë me standarde të këtij lloji, pra jo vetëm që nuk na tremb, por kjo na ndihmon të punojmë në një sistem me rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe transparente. Ne nuk mund të punojmë në sisteme të ndryshme, nga laboratori te pacienti duhen 10 vjet për të zhvilluar një bar dhe kemi nevojë për zhvillimin e një sistemi ku rregullat janë të qëndrueshme. Prandaj, ne jemi tifozë të Shqipërisë, jemi të bindur se Shqipëria ka një mundësi të madhe dhe qeveria e sotme ka shprehur sigurisht një vullnet të madh për të ndryshuar këtë vend dhe për të luajtur një lojë në të cilën edhe ne duam të japim kontributin tonë.
Kompania juaj po investon shumë në sëmundjet e rralla. E shihni Shqipërinë si një vend për zhvillimin e barnave në këtë sektor, duke pasur parasysh që ligji i ri i barnave parashikon zhvillimin e studimeve klinike edhe në Shqipëri?
Unë mendoj se ky është njëri nga aspektet ku ne duhet të përqendrohemi, duhet të krijojmë një dialog me komunitetin shkencor dhe duam ta përfshijmë praktikisht këtë territor në programet e zhvillimit. Kryeministri e tha më parë "kush di më shumë, ka më shumë". Njohja përfaqëson një element me vlerë strategjike në vend. Edhe ky është një nga mesazhet që dha. Në mëngjes isha në universitet duke folur me shefen e Departamentit të Pediatrisë dhe pikërisht, po flisnim me profesoreshë Godon për mundësinë për ta përfshirë atë qendër në një studim që kemi në Evropë lidhur me dhimbjen kronike te fëmijët me tumore. Pra e kemi nisur tashmë këtë dialog. Dihet që fusha e kërkimit ka rregulla dhe është një sfidë për të gjithë, është një sfidë për kompaninë që ka vullnetin ta marrë përsipër, por edhe për sistemin që duhet të ngrejë standardet e që duhet të besojë në vlerën e kërkimeve. Personalisht kam shumë besim dhe jam i kënaqur me këtë hap, isha më përpara dhe pas këtyre dy ditëve kthehem në shtëpi edhe më i bindur