sht82015
Inspektorati Shtetëror i Punës i përgjigjet Urdhrit të Farmacistëve: Respekto Kodin e Punës
Lidhur me ankesën e Urdhrit të Farmacistëve për dypunësimin apo moslejimin e drejtuesve teknikë nëpër farmaci që të ushtrojnë detyrën e tyre pasi kanë mbushur moshën e pensionit, Inspektorati Shtetëror i Punës është përgjigjur në mënyrë zyrtare.
Duke u bazuar në kodin e punës Inspektorati i Punës ka deklaruar se një person mund të punojë në një subjekt të dytë për aq orë sa nuk tejkalohet numri i orëve shtesë të përcaktuara.
Sipas Inspektoratit kohëzgjatja ditore e orëve të punës është 8 orë në ditë dhe numri maksimal i orëve shtesë është jo më shumë se 50 orë në javë.
I kontaktuar nga Farmacist33.al, z.Dritan Ylli deklaron se:
"Çdo marrëdhënie pune në Shqipëri është e rregulluar nga Kodi i Punës dhe kuadri ligjor që e mbështet atë. Cilido institucion, grup interesi, organizatë apo ent, duhet që t'i nënshtrohet Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Inspektorati i Punës është garant i zbatimit të ligjshmërisë nga punëdhënësi dhe punëmarrësi. Për moszbatim të këtij kodi dhe kuadrit ligjor që e mbështet atë, secili mban përgjegjësi para ligjit", thekson kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli.
Pak më herët, Ministria e Shëndetësisë kishte deklaruar se Urdhri i Farmacistëve me rregulloren e saj të re kishte shkelur Kodin e Punës. Disa pika të kësaj rregulloreje konsiderohen të paligjshme, siç ishte ajo e përjashtimit të drejtuesve teknikë në rast se kishin mbushur moshën e pensionit.
Klikoni këtu për të lexuar kthim përgjigjen e ISHPSHSH Urdhrit të Farmacistëve.
Përgatiti: Alma Demiraj