sht292015
Peticioni i farmacistëve, Ministria e Shëndetësisë: Farmacistët të ndjekin procedurat ligjore ndaj Urdhrit
Pas peticionit të farmacistëve dërguar Kryeministrit të vendit, lidhur me disa ankesa që kanë të bëjnë me Urdhrin e Farmacistëve që sipas tyre nuk përfaqëson interesat e farmacistëve, por dhe për vendosjen e disa kritereve për licencimin e farmacive për sa i përket distancës, Farmacist33.al pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këto ankesa. Nëpërmjet këshilltarit për media, zotit Thanas Goga, Ministria e Shëndetësisë e cila është vënë në dijeni të këtij peticioni, që i ka mbërritur kryeministrit tanimë, sqaron se për sa i përket problemeve të brendshme të Urdhrit të farmacistëve, nuk mund të ndërhyjë as Ministria e as Fondi.
"Urdhri është institucion i pavarur dhe problemet e tyre të brendshme duhet t'i zgjidhin brenda tyre sipas procedurave ligjore. Ligji ka të shprehur qartë se si veprohet kur anëtarët e Urdhrit nuk bien dakord me kreun e tyre", sqaron z. Thanas Goga.
Ndërsa i pyetur në lidhje me ndryshimet që farmacistët kërkojnë për licencimin e farmacive duke respektuar një distancë, të paktën 200 metra larg njëra - tjetrës apo ankesa të tjera, që sipas tyre do të ndikonin në mbarëvajtjen e biznesit të tyre, zoti Goga përgjigjet: "Procesi i rregullimit të biznesit është një proces dinamik dhe për këtë është në shqyrtim dhe përmirësim të vazhdueshëm", shprehet z. Goga, këshilltar për median në Ministrinë e Shëndetësisë.
Farmacist 33.al