Shëndetësi

tet282015

Ministria e Shëndetësisë në gjyqin e farmacistëve: UFSH nuk i ka kompetencat për të ndryshuar ligjet

Dje duhej të ishte seanca e fundit gjyqësore e drejtuesve teknikë me Urdhrin e Farmacistëve, e që pritej të finalizohej me një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit. Por kjo e fundit ka vendosur të shtyjë sërish vendimin për në datë 2 nëntor 2015, pasi pranoi të shqyrtojë shkresën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhur me objekt-gjykimin e çështjes, si dhe dëgjoi përfaqësuesen e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me pretendimin e UFSH-së se nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion për rastin e drejtuesve teknikë në pension.  Objekti i gjykimit ku bazohet padia e këtyre të fundit është "kapërcimi i kompetencave nga Urdhri lidhur me disa ndryshime në Statutin e UFSH-së, sipas të cilave drejtuesit teknik që ka mbushur moshën e pensionit  dhe e ushtron profesionin jashtë farmacinë së tij, i mohohet e drejta që të vazhdojë të punojë". Në dokumentin e Komisionerit antidiskriminim paraqitur dje në cilësinë e provës, kërkohet shfuqizimi i nenit 19 të Statutit pasi diskriminon këtë kategori profesionistësh. Por pala mbrojtëse kërkoi të hidhej poshtë ky dokument, pasi sipas saj nuk ka lidhje me objektin e gjykimit.

Presidentja e UFSH-së, znj. Diana Toma, gjatë seancës përsëriti se ndonëse ka pasur takime me zv/ministren dhe ministrin e Shëndetësisë nuk është diskutuar në lidhje me këto pika dhe nuk ka marrë përgjigje për shkresën dërguar këtij institucion, e cila i parashtron ato. "Urdhri ka insistuar për një përgjigje të këtyre pyetjeve sepse do të na lehtësonte edhe procesin e ricertifikimit që ka qenë një proces i ngarkuar. Pikërisht se nuk ka një specializim për drejtuesit teknikë, në varësi të situatave dhe 'Ligjit për profesionet e rregulluara' është parashikuar vendosja e kritereve nga ana e Urdhrave përkatës. Janë marrë si parakushte këto kritere sepse, përderisa kemi të bëjmë me një garant të cilësisë të shërbimit brenda institucionit të farmacistit  siç është drejtuesi teknik, patjetër Urdhri për situatën aktuale e ka parë të udhës të marrë dhe ato masa". Sipas znj. Toma këtë të drejtë e ka UFSH siç e ka edhe për dhënien e lejeve të ushtrimit të profesionit, licencën e drejtuesve teknikë apo edhe heqjen e tyre. "Kemi përdorur shprehjen parakusht sepse e përdorëm direkt nga 'Ligji për profesionet e rregulluara', por brenda kësaj ne kemi futur edhe ligje të tjera siç është 'Ligji i konfliktit të interesit' apo përcaktimi ligjor i 'Ligjit të QKL'-së përsa i përket drejtuesit teknik, që po prapë në 'Ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik' nuk shprehet. Ama janë ligje që duhet t'i nënshtrohet çdo shtetas shqiptar që do të ushtrojë të drejtën e drejtuesit teknik", përfundoi fjalën e saj znj.Toma.

Por përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, znj.Marsela Serjani, deklaroi se as Ministria nuk i ka kompetencat për të bërë interpretime ligjore, as Urdhri nuk mund të bëjë ndryshime në ligje, pasi kompetenca të tilla i takojnë vetëm parlamentit. "Urdhri i Farmacistëve ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të bëjë interpretimin ligjor të disa problematikave. Presidentja, Diana Toma është thirrur nga organet më të larta të Ministrisë së Shëndetësisë, nga zv/ministrja dhe nga ministri vetë, pikërisht për të diskutuar ballë për ballë për këto problematika sepse interpretimin ligjor të kërkesave të tyre nuk mund ta bëjë Ministria e Shëndetësisë. 

Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur projektligjin dhe ka paraqitur para Këshillit të Ministrave projekt-vendimin. Këshilli i Ministrave ia ka paraqitur më pas parlamentit si draftin për ndryshimin e ligjit të Urdhrit të Farmacistëve si atë për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik, kjo është detyra jonë dhe është politikbërëse", u shpreh znj.Serjani gjatë seancës.

Me fjalë të tjera, qëndrimi i Ministrisë mbështet faktin se duke shtuar një kriter të ri, Urdhri i Farmacistëve ka dalë përtej kompetencës që i lejon vetë statuti. "Ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik përcakton kriteret për t'u konsideruar drejtues teknik. Në qoftë se është vullneti për t'i ndryshuar këto kritere, për t'i shtuar apo pakësuar duhet bërë me një ndryshim në këtë ligj. Kriteret janë ligjore dhe nuk mund të konsiderohen si parakushte, të cilësuara kështu nga UFSH", u shpreh znj.Serjani.

Përgatiti: Dorina Gjuzi

 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC