nën62015
Drejtuesit teknik të farmacive fitojnë gjyqin ndaj Urdhrit të Farmacistëve
Gjykata Administrative e Apelit ka dhënë sot vendimin përfundimtar duke e shpallur të pavlefshëm nenin 19 të statutit të ndryshuar me vendimin e Këshillit Kombëtar të Farmacistëve, në datën 29.5.2015 Sipas këtij neni të shtuar në statutin e UFSH-së, drejtuesit teknik që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk janë të vetëpunësuar nuk mund ta ushtrojnë këtë profesion. Ky nen u kundërshtua fort nga rreth 200 drejtues teknik dhe farmacistë të cilët bënë padi ndaj UFSH-së.
Pas padisë së bërë nga farmacistët dhe drejtuesit teknik dhe pas 5 seancash gjyqësore, Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë të drejtë palës paditëse (drejtuesve teknik që kanë mbushur moshën e pensionit), duke e konsideruar të jashtëligjshëm këtë vendim i cili ishte kundërshtuar më herët edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas procedurave gjyqësore, pala e paditur e cila doli e humbur në procesin gjyqësor, në këtë rast UFSH, ka si detyrim të shlyeje dhe shpenzimet e procesit gjyqësor.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit mund të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afatit kohor prej një muaji.
Kundër nenit 19 ishin shprehur më parë edhe institucioni i Avokatit të Popullit dhe Komisioneri Anti Diskriminim duke e konsideruar këtë nen diskriminues dhe antikushtetues.
Përgatiti: Alma Demiraj