jan132016
QKEV organizon provim të dytë certifikimi për 1077 profesionistë të pakredituar
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim do të organizojë për herë të dytë provimin e certifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk përmbushën kriteret e Programit të Kreditimit 2009-2014.
Provimi i parë i certifikimit u zhvillua në muajin dhjetor 2015, por u karakterizua nga një pjesëmarrje minimale mjekësh, farmacistësh dhe dentistësh për shkak të mos kryerjes së regjistrimit nga ana e tyre provim. Tani QKEV iu ofron një mundësi të dytë të 1077 profesionistëve të pacertifikuar, për të cilët ka publikuar listat emërore përkatëse për secilën kategori. Profesionistët që e gjejnë emrin në listë duhet të bëjnë regjistrimin pranë zyrave të QKEV-së, ku duhet të dorëzojnë:
a) kërkesën me shkrim për të marrë pjesë në provim:
b) fotokopje të kartës së identitetit
c) fotokopje të lejes së ushtrimit të profesionit
Sipas listave të publikuara nga QKEV rezultojnë të pa certifikuar 623 mjekë, 90 farmacistë dhe 364 stomatologë.
Ndonëse nuk është specifikuar data përfundimtare e mbylljes së regjistrimeve dhe as datat e zhvillimit të provimit, profesionistët duhet të kenë parasysh që ditën e provimit të paraqiten 30 min para fillimit të tij, si dhe të kenë me vete një mjet identifikimi dhe një fotokopje të saj (kartë identiteti ose pasaportë) bashkë me faturën e pagesës së provimit (kliko këtu).
Në bazë të rregullores, provimi do të konsiderohet i dhënë me sukses vetëm nëse profesionisti merr të paktën 50% të pikëve maksimale. Në rast se nuk është i kënaqur me pikët e marra në provim, ai mund të paraqesë një ankesë me shkrim pranë AKP-së në 5 ditët e para pas shpalljes së rezultatit. Megjithatë për ndryshimin e rezultatit do të duhet një vendim nga Komisioni i Provimit të Ricertifikimit.
Kalimi me sukses i provimit të certifikimit është kushti bazë për profesionistët që të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin.
Këtu lista e farmacistëve që duhet të hyjnë në provim.
Përgatiti: Dorina Gjuzi