jan212016
QKEV: Profesionistët të verifikojnë nëse janë të regjistruar në Programin e Certifikimit
Me një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim iu bën thirrje profesionistëve të shëndetësisë që të kontrollojnë brenda datës 31 janar 2016 nëse rezultojnë të regjistruar në Programin e Certifikimit. Për këtë qëllim ajo ka publikuar edhe listat e mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, ndihmës farmacistëve, infermierëve dhe mamive, të cilët figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Certifikimit.
"Të gjithë ata profesionistë të cilët do të regjistrohen duhet të jenë te pajisur me Licencë nga urdhri profesional përkatës. Gjithashtu, të gjithë profesionistët të cilët nuk kanë licencë të vlefshme dhe figurojnë ende të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Certifikimit duhet të paraqiten pranë QKEV për të bërë çregjistrimin", thuhet në njoftim.
Për herë të parë në procesin e kreditimit do të përfshihen edhe ndihmës/farmacistët, infermierët dhe mamitë.
Për këta programi i certifikimit vlen për periudhën janar 2016 - dhjetor 2020. Ndërsa programi i ricertefikimit është kthyer nga 5-vjeçar në 4-vjeçar për të gjithë profesionistët e shëndetësisë, në shtator të 2015-ës qeveria vendosi të ndryshojë edhe numrin e krediteve qe duhet të plotësojë secila kategori profesionistësh brenda kësaj periudhe. Kështu mjekët duhet të plotësojnë 120 kredite deri në fund të programit, farmacistët, ndihmës/farmacistët e dentistët nga 60 kredite, ndërsa mamitë dhe infermierët do të kenë detyrimin e 40 krediteve.
Kontrolloni emrin tuaj në listat e publikuara nga QKEV.
Përgatiti: Dorina Gjuzi