shk22016
UFSH tërhiqet nga padia ndaj LIFE shpk. Përfaqësuesja ligjore nuk paraqitet në gjyq
Një tjetër proces gjyqësor është pushuar nga trupa gjyqësore për shkak të mos paraqitjes së përfaqësueses së palës paditëse. Në datën 22 janar palët ishin njoftuar se do të zhvillohej seanca gjyqësore ku do të shqyrtohej padia e bërë nga UFSH ndaj kompanisë LIFE shpk, pjesë e së cilës është Farmacist33.al, të cilin UFSH e akuzon për shpifje.
Kjo është hera e dytë që UFSH, nëpërmjet Presidentes së saj, zj.Diana Toma, bën këtë padi. Po kështu dhe hera e dytë që përfaqësuesja ligjore e UFSH nuk paraqitet duke detyruar trupën gjyqësore të pushojë çështjen.
Që zj.Toma ngre pretendime të pabaza kjo është e qartë. Por ashtu, sikurse dhe vetë farmacistët e kanë provuar, UFSH tanimë e ka humbur plotësisht të qenurit një institucion serioz. Dhe këtë po e tregon së fundmi edhe me institucionet gjyqësore.
Të bësh padi për të njëjtën gjë dy herë radhazi dhe të mos paraqitesh në të dy herët, nuk tregon gjë tjetër veçse mungesë serioziteti. Dhe kjo mungesë serioziteti ka habitur dhe vetë trupën gjyqësore. Megjithatë kjo është gjithçka duket në plan të parë.
Parë në një këndvështrim tjetër, hapja dhe mbyllja e proceseve gjyqësore të çon në aludime, se bëhet thjesht për të justifikuar disa pagesa dhe nëse kjo do të vërtetohet, atëherë përveç mungesës së transparencës kemi të bëjmë me një skandal që ndodh me kontributet e farmacistëve. Megjithatë mbetet për t'u parë.
Seancat gjyqësore kanë një tarifë të caktuar e cila përcaktohet me vendim gjykate. Pala që humb procesin gjyqësor është e detyruar ta paguajë atë.
Në seancat ku nuk është paraqitur UFSH, e cila duket se e ka bërë rrugë tanimë, paguan vetëm përfaqësuesen ligjore, që në të dy rastet nuk është paraqitur.
Në një kohë fare të shkurtër UFSH është përfshirë në katër procese gjyqësore dy prej të cilëve i ka humbur, ndërsa dy të tjera të cilat i ka kërkuar vetë dhe nuk është paraqitur, janë pushuar si çështje.
1.- Farmacistët pensionistë kundër UFSH për ndryshimet e Statutit (humbur).
2.- UFSH kundër farmacistëve pensionistë për shpifje dhe fyerje (humbur).
3.- UFSH kundër Farmacist33 për shpifje dhe fyerje (pushuar për mosparaqitje).
4.- UFSH kundër Farmacist33 për shpifje dhe fyerje (pushuar për mosparaqitje).
Për të dy proceset gjyqësore që UFSH ka hapur ndaj LIFE shpk, kërkon një dëmshpërblim monetar jo të vogël. Me sa duket drejtuesit e UFSH kanë menduar të rikuperojnë shpërdorimet e fondeve nëpërmjet proceseve gjyqësore.
Radhën e parë në seancën gjyqësore iu kërkuan më shumë argumente për të vërtetuar shpifjet që zj. Toma pretendonte se i ishin bërë nëpërmjet artikujve të botuar në Farmacist33.al, por përfaqësuesja ligjore e UFSH nuk u paraqit se nuk gjeti argumente shtesë.
Rihapën të njëjtën çështje, por sërish u tërhoqën duke mos u paraqitur.
Por tentativa të tilla për të përfituar dëmshpërblime në lekë mund t' i shkaktojnë dëm UFSH-së, pasi shqetësimi që ka krijuar duke regjistruar padi të kota në gjykatë, ç'ka cenojnë imazhin e LIFE shpk, mund ta përballin UFSH-në me një kundër padi të bazuar në fakte.
Përgatiti: Alma Demiraj