Shëndetësi

mar112016

Qeveria miraton Njësinë e Posaçme për të kontrolluar veprimtarinë e AKBPM-së

tags: AKBPM

Këshilli i Ministrave ka vendosur ngritjen e një Njësie të Posaçme e cila do të kontrollojë periodikisht veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, veprimtari që përfshin analizën, regjistrimin, farmakovigjilencën, kontrollin e barnave e të pajisjeve mjekësore si dhe me inspektimin e veprimtarive në fushën farmaceutike.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e datës 9 mars sqaron se Njësia e Posaçme e përbërë nga 5 anëtarë të përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë, do të kontrollojë minimalisht një herë në vit aktivitetin e AKPBM-së sipas një program-kontrolli të miratuar nga vetë ministria.

VKM-ja saktëson gjithashtu se Njësia fillon kontrollin e menjëhershëm kur: "a) dyshon se është bërë një shkelje e rëndë nga Agjencia, e cila në raste të veçanta është bërë edhe publike dhe b) kur ka një ankesë të arsyetuar nga subjekte të ndryshme, që pretendojnë se u është cenuar një e drejtë nga veprimtaria e Agjencisë".

Procesi i kontrollit nga Njësia e Posaçme do të zhvillohet brenda 30 ditëve nga fillimi i tij dhe vetëm në raste të veçanta afati do të shtrihet deri në 3 muaj. Në fund të periudhës së kontrollit Njësia harton raportin paraprak të cilin ia paraqet AKBPM-së dhe atë përfundimtar me të gjitha rekomandimet e nevojshme që ia dorëzon ministrit të Shëndetësisë. 

Ndërsa, kur një subjekt i caktuar kërkon kontrollin e Njësisë për një shkelje të Agjencisë, ankesa e tij duhet të përmbajë shpjegime të hollësishme të shkeljes së pretenduar të shoqëruara me dokumentet përkatëse, masat që kërkon të merren, emrin dhe mbiemrin e ankuesit si dhe datën e firmën e përfaqësuesit të tij.

Vendimi "Për përcaktimin e rregullave për ushtrimin e kontrollit për veprimtarinë e AKBPM-së në zbatimin e detyrave nga kjo agjenci" (të cilin mund ta gjeni këtu) hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Dorina Gjuzi


 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC