pri132016
Bilanci i QKEV-së për 2015-n: 74% e farmacistëve, 66% e dentistëve dhe 60% e mjekëve përmbushën detyrimet
Në përfundim të vitit 2015, viti i parë i programit të dytë të certifikimit, rezulton se 65% e profesionistëve e kanë përfunduar me sukses atë duke grumbulluar numrin e detyrueshëm të krediteve. Raporti vjetor i Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, i publikuar së fundi saktëson se 3524 mjekë, 1702 stomatologë dhe 1819 farmacistë kanë përmbushur detyrimin minimal të certifikimit, konkretisht 10 kredite ose më shumë mjekët dhe 5 kredite ose më shumë farmacistët e stomatologët.
Duke pasur parasysh numrin total të profesionistëve në secilën kategori (5846 mjekë, 2569 stomatologë dhe 2458 farmacistë), në vend të parë qëndrojnë farmacistët të cilët kanë përmbushur detyrimin në masën 74%, në vend të dytë stomatologët me 66% dhe në të tretin mjekët me 60%.
QKEV ka ngritur problematikën e regjistrimit të profesionistëve në këtë cikël të dytë certifikimi ku janë të shumtë profesionistët me të dhëna të pasakta. Aktualisht regjistrimi i tyre në regjistrin e certifikimit ofrohet nëpërmjet formularit të publikuar në faqen e saj online. Duke iu kthyer statistikave, shqetësues mbetet numri i madh i profesionistëve me 0 kredite. Përkatësisht 1,724 mjekë, 856 stomatologë, dhe 606 farmacistë nuk kanë mbledhur asnjë kredit gjatë vitit 2015.
Duke iu referuar specialiteteve, QKEV nënvizon se më të suksesshëm kanë rezultuar alergologët dhe endokrinologët, mbi 90% e të cilëve kanë marrë kreditet e nevojshme, ndërsa mjekët higjienistë janë specialiteti me përqindjen më të ulët, vetëm 28% e tyre kanë kryer detyrimin. Grupi me numrin më të madh të mjekëve, ata të përgjithshëm, ndodhen në një kufi mesatar prej 57% me detyrim të kryer gjatë 2015-s.
Një vendim qeverie i vitit të kaluar përcakton se numri i krediteve që një profesionist duhet të marrë sipas llojit të aktivitetit është të paktën 50% nga aktivitete të lidhura me specialitetin, 20% nga aktivitete të vetëraportuara, ndërsa pjesa tjetër është me zgjedhje të lirë nga vetë profesionisti. Duke iu referuar analizës përqindja më e lartë e krediteve merret nga leksionet, konferencat dhe aktivitetet e zhvilluara online. Nga viti 2013, QKEV ka akredituar edhe aktivitete në distancë, ndërsa 28 të tilla u ofruan gjatë vitit të kaluar. Në raport theksohet se është me rëndësi që këto aktivitete përveç cilësisë të kenë edhe një askes të thjeshtë për t'u ndjekur nga një numër sa më i madh profesionistësh. ECM33.al, platforma e kurseve online, është një nga ofruesit që i përmbush më së miri kriteret e specifikuara nga QKEV.
Një nga problematikat e nënvizuara në raport lidhet me numrin e aktiviteteve të ofruara nga institucionet publike, që nuk i ka përmbushur pritshmëritë dhe ku vetëm disa kanë aplikuar për akreditim të aktiviteteve institucionale për stafet e tyre të profesionistëve. Një numër i madh aktivitetesh kanë synuar të jenë sa më përgjithësuese në përfshirjen e profesionistëve nga profile të ndryshme. Megjithatë raporti nënvizon se duhet përmirësuar numri i vogël i aktiviteteve të organizuara enkas për infermierët dhe mamitë. Nga ana tjetër në rritje janë aktivitetet për farmacistët dhe dentistët.
Dorina Gjuzi