kor192016
Universiteti i Mjekësisë më i kërkuari. Rektori Gjata: Vetëm maturantët me mesatare mbi 8.5
Maturantët që duan të ndjekin studimet e larta në Universitetin e Mjekësisë, duhet të kenë një mesatare mbi 8.5 .Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë kriteret janë vendosur nga vetë fakultetet e këtij Universiteti. Duke folur për Farmacist33.al, rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof.Dr.Arben Gjata shpjegon se këtë vit do të pranohen gjithsej 230 studentë të rinj në Universitetin e Mjekësisë, kuota këto për studentët brenda territorit te Shqipërisë.
"Universiteti i Mjekësisë ka qenë dhe është shumë i kërkuar. Kriter për mjekësinë, stomatologjinë dhe farmacinë është nota mesatare mbi 8.5. Kemi caktuar 35% të pikëve të jenë nga mesatarja e tre viteve të gjimnazit, 35% të tjera të jenë nga matura shtetërore dhe janë edhe tre lëndë që ne mendojmë se kanë lidhje me mjekësinë si kimia, fizika dhe biologjia që kanë 30% të pikëve me nga 10 % secila", shprehet rektori Gjata.
Për vitin akademik 2016-2017 do të pranohen rreth 60 studentë më pak në degët e Universitetit të Mjekësisë. Sipas rektorit Gjata kjo bëhet për të rritur cilësinë.
"Në të gjitha rastet kemi ulur kuotat për të qenë në rregull me akreditimin sepse duam që të akreditojmë Universitetin e Mjekësisë dhe të bëhet më e mira për cilësinë e mësimdhënies së studentëve", ka theksuar Prof.Dr. Arben Gjata.
Këto ditë pritet të dalë edhe udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për mënyrën e aplikimit të maturantëve që do të ndjekin studimet e larta për këtë vit.
Alma Demiraj