Shëndetësi

shk222018

Nga katarakti tek osteoporoza... Ja, cilat do të jenë barnat mbrojtëse për moshën e tretë

Mbi 200 përbërje të klasifikuara si "gerombrojtëse", mund të jenë në gjendje të vonojnë mësymjen e shumë sëmundjeve të lidhura me moshën dhe të shtojnë aftësinë ripërtëritëse te të moshuarit.

"Ndërsa pritet që 22% e popullsisë botërore do të përbëhet nga njerëz me moshë mbi 60 vjeç brenda vitit 2050, barna të tilla mund të jenë thelbësore për frenimin e një krize kanosëse për kujdesin shëndetësor", thotë Ilaria Bellantuono (Universiteti i Shefildit), autore kryesore e studimit të botuar në "Nature".

Kërkimet e bëra te minjtë gjatë viteve të fundit, sugjerojnë se barna të tilla si: rapamicina, metformina ose senolitikët mund të ngadalësojnë zhvillimin e kataraktit, osteoartrozës, osteoporozës dhe humbjen e masës muskulare dhe se ato janë në gjendje të përmirësojnë funksionin kardiak. Që këto barna të njihen nga autoritetet dhe të nisin të përdoren te njerëzit, autorët veçojnë tre hapa të mëdhenj që duhen bërë nga komuniteti shkencor.

I pari, ka të bëjë me shumëllojshmërinë e domethënieve që kanë termat kyç. Për shembull, shumë kërkues përdorin termin shumëmorbilitet për të përshkruar praninë e njëkohësishme të dy sëmundjeve, dikush të pesë, trembëdhjetë të tillave e kështu me radhë. Kjo e bën veçanërisht të vështirë përballjen me studimet dhe përcaktimin se cilat patologji kanë më shumë mundësi për t'u verifikuar së bashku. Në artikull, propozohet të vlerësohet se cilat janë pesë apo dhjetë sëmundjet më të rënda te të moshuarit, cila prej tyre është më e mundshme të takohet e shoqëruar, kohët e zhvillimit të secilës sëmundje krahasuar me të tjera në grup dhe ecuritë e lidhura me patogjenezën e tyre të përbashkët.

Nuk ka dakordësi as sa i përket përkufizimit të brishtësisë dhe as ka vlerësime të standardizuara të saj, ndonëse klinicistët dhe kërkuesit, përgjithësisht, bien dakord mbi përdorimin e saj si term klinik. Për ta përkufizuar, disa bazohen në karakteristika, mes të cilave: dobësia, ngadalësia, nivelet e ulëta të aktivitetit fizik, lodhja e vetëreferuar, humbja në peshë edhe jo e qëllimshme, ndërsa një qasje më cilësore ka tendencë të vlerësojë akumulimin e deficitit, siç është humbja e të dëgjuarit dhe demenca, për të ndërtuar një "tregues të brishtësisë".

Problemi i dytë që shtrohet për zgjidhje është se, aktualisht, për të kursyer kohë dhe para, shkencëtarët përdorin minj të rinj për të zhvilluar modele të sëmundjeve të të moshuarve. Në këtë mënyrë, efektet e plakjes qelizore mbi përparimin e sëmundjes, rrallë merren në konsideratë. Diçka në këtë drejtim ka nisur të lëvizë, me propozimin e modeleve të shumëmorbilitetit që bëjnë përshpejtimin e procesit të plakjes, siç bëhet për shembull me minjtë, të cilëve u fshihet një gjen që bën riparimin e dëmtimit të ADN-së.

Pika e tretë që shihet si problematike, ka të bëjë me përzgjedhjen e faktorëve për t'u matur kur vlerësojmë efektet e barnave në studime. Autorët nënvizojnë se sa e nevojshme mund të jetë t'iu japësh përparësi atyre që tregojnë se kanë përfitime të dukshme për pacientët sepse kjo do të lehtësojë aprovimin e kërkesës për të testuar gerombrojtësit në një kontekst klinik. Për shembull, matja e aftësisë së një personi për të ecur 400 metra, është e preferueshme të bëhet, kur duam të bëjmë matjen e masës muskulare dhe do të pranohej më mirë si një objektiv nga autoritetet rregullatore.

 

Nature 2018. Doi: 10.1038/d41586-018-01668-0


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC