mar52018
Ekstrakti i mollës "annurca", efekt premtues kundër rënies së flokëve nga kimioterapia
Efekti kundër rënies së flokëve, i shfaqur nga ekstrakti polifenolik i mollës "annurca", në doza më të larta mund të jetë mjaft i dobishëm për pacientët me kancer, që iu nënshtrohen cikleve të kimioterapisë. Këtë kanë qëllim të provojnë studiuesit në Universitetin e Napolit "Federico II", të cilët kanë nisur një studim i cili, tani për tani, do të studiojë pacientët me kancer të gjirit. Arsyetimi i studimit, shpjegon Novellino-ja, lind nga disa të dhëna paraprake: "Përdorimi për disa javë i ekstraktit të mollës "annurca" te pacientët me kancer, para fillimit të cikleve të kimios dhe gjatë trajtimit, duket se redukton ose frenon rënien e flokëve.
Kjo gjë u vëzhgua aksidentalisht te pacientët të cilët merrnin një integrator për uljen e kolesterolit dhe të cilët, kur u sëmurën me kancer, iu nënshtruan një cikli kimioterapie. "Kemi vënë re, raporton eksperti, se këtyre subjekteve, ose nuk u binin fare flokët, ose u binin shumë më pak. Tani do të verifikojmë me metoda shkencore këtë vëzhgim që kryqëzohet me hulumtimin klinik dhe vlerëson një produkt që ngjall interes shkencor në të gjithë botën dhe në veçanti, në fushën e sëmundjeve metabolike dhe të trikologjisë".
De Laurentiis evidenton se: "Studimi bazohet në një arsyetim racional biologjik, që rrjedh nga një fazë e gjatë eksperimentimi paraprak në laborator dhe në vëzhgimin e pacientëve që merrnin integratorin për arsye të tjera dhe që kishin një rënie flokësh më të reduktuar gjatë kimioterapisë. Duke u nisur nga këto të dhëna, kemi vendosur të vazhdojmë me fazën eksperimentale klinike, gjatë së cilës, pacientët me tumor të gjirit që kanë ndjekur disa lloje kimioterapie që shoqërohen me rënie flokësh, do të marrin integratorin që ka në bazë ekstraktin procianidik të mollës annurca për të verifikuar në mënyrë përfundimtare nëse ai është vërtet në gjendje të parandalojë rënien e flokëve për shkak të kimioterapisë".
Kërkuesit kanë "besim të plotë në konfirmimin shkencor të kërkimeve të zhvilluara dhe të publikuara tashmë".