maj292018
Të larguarit nga puna kërkojnë përgjigje. Dalin në protestë para FSDKSH-së
Disa punonjës të larguar nga puna në drejtorinë e FSDKSH-së në Tiranë dhe në zyrën e saj në Qendrën Spitalore Universitare, kanë protestuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme, pasi nuk kanë marrë asnjë shpjegim për arsyen e shkarkimit të tyre.
Pasi janë njohur tanimë me vendimin zyrtar, ata i janë drejtuar zyrës qendrore, por nuk kanë mundur të takohen me drejtorin Ahmetaj.
"Cila është arsyeja që më kanë shkarkuar? Kam mbi dhjetë vjet në kontrollin spitalor. Më gjetën me shkelje? Kam abuzuar? Të na e thonë. Nuk na pret askush në takim", ka thënë për Doktor33.al Naun Sinani, specialist në sektorin e kontrollit spitalor.
Vetëm në Tiranë janë shkarkuar nga puna 36 punonjës, disa prej të cilëve kanë 15 vite në atë vend pune.
"Nuk na priti as drejtoresha e Tiranës. Jam e sigurt që nuk e kanë hapur fare dosjen të shikojnë gradën doktore e shkencave", shprehet Lulëzime Gecaj, mjeke specialiste në kontrollin spitalor.
Por, më herët, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor ka shpjeguar në një deklaratë për shtyp se po bëhet një ristrukturim i zyrave të Fondit pasi ka pasur një rritje artificiale të numrit të të punësuarve. Në të gjitha zyrat e FSDKSH-së janë shkurtuar 163 vende pune, shprehen për Doktor33.al, burime të FSDKSH-së.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, thuhet se gjithashtu, kishte mospërputhje mes përshkrimit të punës dhe pozicioneve të krijuara, çka bënte që shumë pozicione të mos kishin ngarkesë reale pune dhe që struktura të rëndohej artificialisht.
Alma Demiraj