Shëndetësi

qer192020

Covid-19 në QSUT. Shefat e shërbimeve: Është e pashmangshme

Shefat e shërbimeve në QSUT, në të cilat u infektuan personel mjekësor dhe pacientë, thonë se kjo që ndodhi ishte e pritshme. Sipas tyre, personeli mjekësor u infektua edhe në spitalet e Italisë dhe në vende të tjera.

Shefi i shërbimit të sëmundjeve interne, prof. dr. Mihal Tase shpjegon për Doktor33 se në QSUT hyjnë e dalin çdo ditë qindra pacientë me dhe pa simptoma. "QSUT-ja është një qytet i madh ku vijnë pacientë e familjarë të tyre dhe jo të gjithë mund t'i detyrosh të vendosin maskën. Ndërkohë, këtu vijnë pacientë që kanë nevojë urgjente për shkak se janë të sëmurë, janë apo nuk janë me COVID. Ne e dinim se do të na ndodhte, pavarësisht se çdo ditë përforcohen masat dhe kontrollet", shprehet prof. dr. Tase.
 
Ndërsa shefi i shërbimit të kardiologjisë, prof. dr. Artan Goda thotë se mjekët janë target grupi më i rriskuar.

"Është infektuar vetëm një numër i vogël i personelit mjekësor. Mjekët apo infermierët janë viktima në këtë rast. Në QSUT, virusi erdhi nga pacientët dhe ne e dinim se kjo do të ndodhte, për shkak të kontaktit fizik të afërt me pacientin. Mund të izolohej nëse do të testoheshin të gjithë pacientët, pra, të mos e shtronim një pacient pa ardhur përgjigjja e tamponit dhe po kështu, të mos nxirrnim nga spitali pacientë të patestuar", shprehet prof. dr. Artan Goda.

Shefi i Shërbimit të hematologjisë, prof. dr. Arben Ivanaj thotë se duhen respektuar masat nga pacientët dhe nga mjekët.

"Nuk infekton QSUT-ja. Muret e saj nuk infektojnë. Nuk mund të fajësojmë personelin mjekësor i cili vetësakrifikohet për pacientin. Sigurisht, nëse hyn në pavijon, do të ketë transmetim nga pacienti, por ne e dinim që mund të infektoheshim. Qëkur jemi diplomuar, e dimë se jemi gjithmonë të rriskuar, jo vetëm sot nga Covid-19 apo dje nga hepatitet e HIV-i, por dhe nesër kur nuk dihet çfarë virusi mund të vijë", shprehet prof. dr. Arben Ivanaj.

 

Alma Demiraj


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC