qer12018
Kërkohen ndryshime në ligjin antiduhan. Ndëshkim i rëndë edhe për cigaren elektronike dhe shishat
Inspektoriati shëndetësor shtetëror kërkon të bëhen ndryshime të tjera në ligjin antiduhan të miratuar në vitin 2006. Baret dhe restorantet nuk po e respektojnë më siç duhet ligjin antiduhan pasi në shumë bare, ai konsumohet në ambient të mbyllur. Kreu i inspektoriatit shëndetësor shtetëror, zoti Eltar Deda tha se ka lokale që janë ndëshkuar me gjobë mbi dhjetë herë.
"Tani kemi propozuar që lokalet që gjobiten mbi tre herë, të mbyllen, ndonëse një gjë e tillë është kundërshtuar kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë", shprehet zoti Deda.
Por, në ndryshimet që janë propozuar për ligjin antiduhan është edhe përfshirja e bareve që servirin shisha në ambientet e tyre, pasi shpesh janë konstatuar abuzime, duke përdorur edhe produktet e duhanit. Sipas zotit Deda, as cigarja elektronike nuk duhet lejuar, pasi me këtë nismë synohet të luftohet edhe vesi, jo vetëm konsumi i duhanit dhe i produkteve të tij.
Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, duhani është shkaktar për një në katër vdekje prej sëmundjeve kardiovaskulare. Në rastet e tumoreve, ky ndikim është edhe më i lartë, duke arritur në mbi 83% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive.
Në vendin tonë, përqindja ditore e duhanpirësve është rreth 48% nga meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë uljeje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritjeje nga 5, në 10%.
Ndaj këtë vit është vendosur të përforcohen masat për parandalimin e duhanpirjes në ambientet publike.
Një hap tjetër i rëndësishëm që po ndërmarrim, lidhet me imazhet fotografike që do të kenë paketat e duhanit edhe në Shqipëri. Brenda muajit qershor, do të miratohen imazhet e "sëmundjeve të tmerrshme" që do të vendosen në paketat e duhanit dhe brenda vitit nga miratimi, edhe në Shqipëri, si në vendet e BE-së, imazhet e sëmundjeve të tmerrshme që shkakton duhanpirja do të jenë në çdo paketë që konsumohet në vendin tonë.
Alma Demiraj