qer252018
Përdhesi. Terapia e re që redukton ripërthithjen renale të acidit urik
50% e mjekëve të përgjithshëm dhe specialistëve besojnë se përdhesi është kryesisht pasojë e stilit të jetesës. Shtatë nga dhjetë vetë raportojnë se kurrë nuk kanë folur me mjekun e tyre rreth niveleve të acidit urik, për monitorimin e tyre e rrezikun e përdhesit dhe vetëm një pacient në dy, deklaron se ka marrë terapi të vazhdueshme. Së fundi, 55% e farmacistëve thonë se përdhesi nuk njihet nga qytetarët. Këto janë të dhënat e një sondazhi të kryer nga Edra, me mbështetjen e Grünenthal Italia, të kryer mbi 1,125 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë (reumatologë, kardiologë, urologë, nefrologë, ortopedë, internistë dhe geriatër), 655 farmacistë dhe 1,400 qytetarë në Itali. Rezultatet e këtij studimi u paraqitën në Milano gjatë një konference shtypi në të cilën është diskutuar edhe për lesinuradin, urikosurikun e gjeneratës së re.
"Janë të dhëna domethënëse, që shpjegojnë nevojën e thellimit në këtë argument", komenton Leonardo Punzi (Universiteti i Padovës). "Në fakt, një stil jete ose një dietë e ekuilibruar kontribuojnë në një reduktim të vetëm 10% të vlerës totale të urikemisë; kjo mund të kontribuojë nga njëra anë në marrjen e më pak barnave dhe nga ana tjetër, në evitimin e faktorëve që favorizojnë ataket akute. Shpesh, shkaqet e sëmundjes janë gjenetike".
Situata komplikohet edhe sa i përket pjesëmarrjes në trajtim: "60-70% e pacientëve me përdhes, pas rreth gjashtë muajsh kanë tendencën ta ndërpresin terapinë, në momentin kur sulmet zhduken", konfirmon Gerardo Medea, mjek i përgjithshëm. "Arsyet e braktisjes janë të shumëfishta: është e nevojshme të sensibilizohen më shumë pacientët për një menaxhim më të mirë të përdhesit dhe një monitorim të simptomave të ngjashme me sa është vënë në dukje për disa sëmundje kronike. I fundit, por jo më pak i rëndësishëm është përmirësimi i orientimit të specialistëve dhe mbi të gjitha, trajnimi i mjekëve të familjes".
Megjithatë, hulumtimi ka zhvilluar zgjidhje novatore që hapin rrugën për horizonte të reja terapeutike. "Tani e tutje janë në dispozicion një gjeneratë e re urikosurikësh; lesinuradi, i cili, ndryshe nga trajtimet e vjetra, nuk ndërhyn në sistemet e eliminimit të metaboliteve nga veshka ose në veprimin e barnave të tjera. Ky medikament, që merret në kombinim me allopurinol-in ose febuxostat-in, redukton ripërthithjen e acidit urik nga veshka në plazmë dhe korrigjon ekskretimin e reduktuar të acidit urik nga veshka. Duke pasur parasysh mekanizmat që çojnë në hiperurikemi, kjo është një qasje më fiziologjike ndaj trajtimit sesa në të kaluarën".
Thilo Stadler, menaxher i përgjithshëm i Grünenthal Italia, përfundon: "Objektivi kryesor për Grünenthal-in është të ofrojë produkte novatore, më efikase dhe të sigurta, për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve. Kjo zgjidhje përfaqëson një trajtim të ri për përdhesin, që na lejon të hyjmë në një fushë të re terapeutike dhe t'u përgjigjemi nevojave të paplotësuara".