Shëndetësi

gus52019

Antihistaminikët mund të kenë efekt në diarrenë idiopatike. Ja, studimi

Disa pacientë me diarre idiopatike postprandiale (PPD) mund të përfitojnë nga një trajtim antihistaminik, sipas një serie rastesh të botuara online në "Annals of Allergy, Asthma & Immunology". "PPD-ja e ndjeshme ndaj antihistaminikëve, vërehet përgjithësisht te pacientët me urtikarie idiopatike kronike e dermatografi dhe mund të dallohet nga sindroma e aktivizimit të mastociteve (MCAS). Kjo sindromë duhet marrë në konsideratë në diagnozën diferenciale të pacientëve me intolerancë, pasi të përjashtohen alergjitë ushqimore dhe çrregullimet e tjera gastrointestinale", thonë Yasmin Hassoun, Margo Rockwell Stevenson dhe David Bernstein (Universiteti i Sinsinatit në Ohajo), autorë të punimit.

Studiuesit raportojnë praninë e PPD-së idiopatike në pesë pacientë të moshës 26 deri 63 vjeç, me një kohëzgjatje të diarresë që varion nga tetë javë, deri në 13 vjet. Të pesë pacientët kishin dermatografi të njëkohshme. Tre pacientë gjithashtu kishin një histori aktuale ose të kaluar të urtikaries kronike dhe tre, një histori aktuale ose të kaluar të angioedemës. Asnjë prej tyre nuk kishte ngjarje shkaktare, si një sëmundje virale, as ndonjë dëshmi të alergjisë ushqimore ose intolerancës ose MCAS dhe te të gjithë ata, diarreja vihej re vetëm pas ngrënies dhe brenda tre orësh pas saj. Dy pacientë kanë shfaqur kolit limfocitik, inflamacion të stomakut dhe ulcera, por këto patologji nuk ishin të mjaftueshme për të shpjeguar diarrenë. Pas analizave për të përjashtuar format e tjera të diarresë, pacientët morën trajtim ditor me antihistaminikët H1 dhe H2. Ky trajtim ka zgjidhur PPD-në për dy pacientë dhe ka lehtësuar simptomat për tre të tjerët.

"Përgjigjet pozitive të këtyre pacientëve ndaj bllokuesve të receptorëve H1 dhe H2, sugjerojnë se histamina e lëshuar nga mastocitet gastrointestinale është një ndërmjetës kryesor i diarresë postprandiale", thonë autorët. Ndonëse nuk njihet mekanizmi i saktë me të cilin ushqimi mund të stimulojë mastocitet, ekspertët hamendësojnë se peristaltika mund të luajë një rol në këtë proces. Studimet e mëtejshme do të lejojnë të thellohen këto zbulime, bazuar në popullsi më të mëdha.


Ann Allergy Asthma Immunol. 2019. doi: 10.1016/j.anai.2019.06.022
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31279076


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC