gus292019
Pneumonia. Ciklet shumë të gjata të antibiotikëve, shtojnë efektet anësore
Shumica e pacientëve të shtruar në spital për pneumoni, marrin antibiotikë për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye, janë shumë më të rrezikuar nga efektet anësore, sipas një studimi retrospektiv të botuar në "Annals of Internal Medicine".
"Studimet me përzgjedhje rastësore nuk tregojnë asnjë përfitim nga një trajtim me antibiotikë që tejkalon kohëzgjatjen më të shkurtër të konsideruar të efektshme. Për këtë arsye, ne kemi ekzaminuar rezultatet e lidhura me një kohëzgjatje të tepruar të këtij lloj trajtimi", thotë Valerie Vaughn (Universiteti i Miçiganit), autore kryesore e studimit. Kërkuesit kanë studiuar rreth 6.500 pacientë të trajtuar për pneumoni të fituar në komunitet, në 43 spitale në Miçigan, në periudhën 2017-2018.
Rezultati kryesor i studimit ishte norma e kohëzgjatjes së tepërt të trajtimit me antibiotikë (ditë të tepërta për një periudhë 30-ditore). Ditët e tepërta u llogaritën duke zbritur kohëzgjatjen më të shkurtër të trajtimit të parashikuar për secilin pacient (bazuar në qëndrueshmërinë klinike, nga patogjeniteti dhe klasifikimi i pneumonisë) nga kohëzgjatja aktuale. Analiza e të dhënave tregoi se afro 68% e pacientëve morën antibiotikë për një periudhë më të gjatë se cikli më i shkurtër efektiv sipas udhëzimeve. Kohëzgjatja mesatare e teprimit ishte dy ditë (2,526 ditë më shumë për 1.000 pacientë). Ekspertët gjithashtu vunë re se mbi 90% të ditëve të administrimit të tepërt të antibiotikëve u atribuohen antibiotikëve të përshkruar gjatë daljes nga spitali. Në 30 ditë, trajtimi i tepërt nuk tregoi asnjë përfitim klinik dhe në të vërtetë, u shoqërua me efekte anësore të raportuara nga pacienti, siç është diarreja.
"Studimi ynë mbështet atë që literatura po e thekson gjithnjë e më shumë, domethënë se terapia afatshkurtër në pneumoni është e sigurt dhe se ciklet më të gjata, jo vetëm që janë të padobishme, por janë edhe potencialisht të dëmshme. Ndërhyrjet në të ardhmen duhet të përqendrohen në hipotezën se një reduktim i trajtimit të tepërt dhe përmirësimi i dokumentacionit gjatë daljes nga spitali, mund të përmirësojë rezultatet e pacientit", përfundojnë autorët.
Ann Intern Med. 2019. doi: 10.7326/M18-3640
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31284301