sht272019
Prania e farmacistit në urgjencë. Studimi tregon përfitimet për pacientët
Prania e një farmacisti në repartin e urgjencës mund të shkurtojë në mënyrë të dukshme kohën e trajtimit që synon të kthejë efektin antikoagulant të barnave te pacientët me hemorragji potencialisht vdekjeprurëse apo me nevojë për procedura urgjente, sipas një studimi të publikuar në "Journal of Emergency Medicine".
"Kthimi i efektit të antikoagulantëve me kompleksin protrombik me katër faktorë (4F-PCC) është thelbësor, por ende nuk dihet qartësisht koha optimale për administrimin e 4F-PCC dhe as dihet nëse administrimi më i shpejtë përmirëson hemostazën", shpjegon Dalila Masic (Qendra Mjekësore e Universitetit "Loyola" në Mejvud, SHBA), autorja kryesore e studimit. Studimi përfshiu 116 pacientë që merrnin një hollues gjaku dhe shkuan në dhomën e urgjencës me gjakderdhje potencialisht vdekjeprurëse. Holluesi më i zakonshëm ishte varfarina (Coumadin) dhe indikacioni më i zakonshëm për terapi antikoagulante ishte trajtimi i fibrilacionit atrial. Lloji më i zakonshëm i hemorragjisë që preku këta njerëz ishte hemorragjia intrakraniale.
Kështu, nga 116 pacientë, 50 kishin një farmacist klinik përkrah dhe 66 kishin në dispozicion vetëm mjekë. Mes pacientëve që kanë patur mundësi të kishin pranë një farmacist për administrimin e barnave, medikamenti i koagulimit u administrua në një kohë mesatare prej 66.5 minutash, krahasuar me 206.5 minuta te pacientët pa farmacist të pranishëm.
Për më tepër, pacientët e ndjekur nga një farmacist, kaluan gjithashtu më pak kohë në njësinë e kujdesit intensiv (dy ditë, përkundër pesë ditëve) dhe zakonisht kishin qëndrim më të shkurtër në spital (5.5 ditë, në krahasim me 8 ditë). Prandaj, ekspertët theksojnë se farmacistët në shtratin e pacientit ndihmuan mjekët në departamentin e urgjencës në procesin e vendimmarrjes klinike dhe në përdorimin e duhur të 4F-PCC dhe bënë që bari të administrohej më shpejt te pacienti.
"Një farmacist klinik mund të sigurojë rekomandime të vlefshme terapeutike dhe mund të përmirësojë kohën e marrjes së medikamentit për shpëtimin e jetës", përfundojnë autorët.
J Emerg Med. 2019. doi: 10.1016/j.jemermed.2019.06.027
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31447188