pri162020
Coronavirusi. Ekspertët identifikojnë llojet dhe nënllojet virale
Sipas një studimi të botuar në bioRxiv (që nuk i është nënshtruar rishikimit nga kolegët), më shumë se 1100 gjene virale të Sars-Cov-2 nga Kina, Amerika dhe Evropa paraqesin një homogjenitet gjenetik të theksuar.
"Analiza filogjenomike e Sars-CoV-2 sugjeron praninë e tre grupeve mbizotëruese të epizomave virale, të shoqëruara kryesisht me shpërthime në zona të veçuara gjeografike. Nivelet e ndryshueshmërisë gjenomike midis izolateve Sars-CoV-2 janë të kufizuara, por nuk është e qartë nëse modelet e ndryshueshmërisë së vëzhguar reflektojnë një përshtatje të vazhdueshme të Sars-CoV-2, apo thjesht rrjedhën gjenetike ose efektin e themeluesit", shpjegojnë autorët e studimit nga Instituti i Biomembranave, Bioenergjetikës dhe Bioteknologjisë Molekulare të Këshillit Kombëtar të Kërkimit, (Cnr-Ibiom) në Bari, Departamenti i Bioshkencës së Universitetit Shtetëror të Milanos dhe Departamenti i Bioshkencave, Bioteknologjive dhe Biofarmaceutikës të Universitetit të Barit dhe koordinuar nga Graziano Pesole.
Ekspertët identifikuan të paktën tetë nënlloje virale me prevalencë të ndryshueshme në varësi të rajonit. "Analizat tona tregojnë se tre nënlloje të virusit përbëjnë më shumë se 70% të të gjitha gjenomave virale të sekuencuara deri më tani, ndërsa vetëm dy nënlloje virale përbëjnë 72% dhe 74% të të gjitha viruseve të izoluara në Evropë dhe Amerikë. Të gjitha nënllojet virale të përcaktuara në bazë të krahasimit të sekuencave të gjenomës duket se kanë një origjinë të zakonshme në Kinë, ndonëse vijnë nga shpërthime të veçuara", shpjegon Pesole.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse secili shtam ka një sekuencë gjenomike karakteristike, fakti që variacionet janë të kufizuara në numër dhe përqendrohen në rajone që nuk kodojnë për proteina sugjeron që nuk ka evolucion të shtamit viral, ndaj dhe ai nuk ka ndryshuar dhe nuk është bërë më virulent.
"Kjo jep mundësi për të vendosur në një emërues të përbashkët, në shkallë ndërkombëtare, studimet në zhvillim, me qëllim qasje terapeutike të synuara dhe vaksina efikase", thotë Pesole. Studiuesit, pra, konstatojnë se mungesa e homogjenitetit që gjendet në zona të ndryshme gjeografike mund të ndodhë për shkak të përhapjes së shpejtë të nënllojeve të ndryshme virale, të importuara në mënyrë të pavarur në kontinente të ndryshme.
BioRxiv 2020. Doi: 10.1101/2020.03.30.016790
https://doi.org/10.1101/2020.03.30.016790