kor52024
Mikrobioma. Speciet dhe shtamet bakteriale që shtojnë rrezikun për diabet të tipit 2
Diabeti i tipit 2 prek afro 537 milionë vetë në të gjithë botën. Studimet e viteve të fundit kanë sugjeruar një lidhje ndërmjet mikrobiomës intestinale dhe diabetit të tipit 2, por pjesa më e madhe e tyre ishin të kufizuara në përmasa dhe në shumëllojshmërinë e pjesëmarrësve. Së fundmi, në një studim janë analizuar 8117 metagjenome të mikrobiomës intestinale të pjesëmarrësve me diabet të tipit 2, paradiabet, apo me asnjë ndryshim të niveleve të sheqerit në gjak, të cilët vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, si SHBA, Izrael, Suedia, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Franca dhe Kina.
Lidhja me diabetin e tipit 2
Studiuesit zbuluan se specie dhe shtame bakteriale specifike lidheshin me diabetin e tipit 2. Për shembull, specia Prevotella copri, një mikrob i zakonshëm në zorrë, i aftë për të prodhuar sasi të mëdha të aminoacideve me zinxhir të degëzuar (BCAA), është vërejtur më shpesh te pacientët me diabet. Pra, ky rezultat është në një linjë me studimet e mëparshme, që kanë treguar se individët me nivele hematike të larta të BCAA nga ana kronike janë më të rrezikuar për zhvillim të obezitetit dhe diabetit të tipit 2.
Gjithashtu, u vërejt një disbiozë në 19 specie filogjenetikisht të ndryshme, e cila lidhej me diabetin e tipit 2, si pasurimi i Clostridium bolteae dhe reduktimi i Butyrivibrio crossotus. Këto mikroorganizma kanë sjellë ndryshime funksionale në nivel komunitar, të cilat mund të jenë baza e patogjenezës së diabetit të tipit 2, si çrregullimet në metabolizmin e glukozës.
"Besojmë se ndryshimet në mikrobiomën intestinale mund të shkaktojnë diabet të tipit 2. Nëse këto ndryshime janë rastësore, ne mund të gjejmë mënyra për të ndërhyrë në mikrobiomë, me qëllim reduktimin e rrezikut për diabet, duke ndryshuar dietën, probiotikët, apo duke kryer transplante fekale", pohon autori kryesor i studimit, Wang.
Kufizimet dhe ndërlikimet e ardhshme
Një nga kufizimet kryesore të studimit ishte analiza e mikrobiomave të pacientëve në një moment të vetëm, pa analizuar ndryshimet në kohë. Studimet e ardhshme do të përqendrohen mbi vëzhgimin e mikrobiomës intestinale dhe të statusit të sëmundjes në periudha të zgjatura, si edhe mbi analizimin e funksioneve specifike të shtameve bakteriale.
"Avantazhi dhe sfida e mikrobiomës së njeriut është natyra e saj individuale. Fakti që secili prej nesh ka komunitete dhe gjenetikë mikrobike jashtëzakonisht të ndryshme, nënkupton se nevojiten studime të mëtejshme më gjithëpërfshirëse mbi popullsinë, për të gjetur modele bashkëkohore. Por, sapo ta bëjmë këtë, mikrobiomat individuale kanë potencialin për t'u rimodeluar për reduktimin e rrezikut për sëmundje", përfundojnë autorët.