pri172020
Gati testet serologjike. Doktor Andi Koraqi: I pari që do të testohet është personeli mjekësor
Doktor Andi Koraqi, i cili u prek nga COVID-19 ka lënë ambientet e shërbimit infektiv dhe do të drejtojë laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, online. Ky laborator dhe personeli që punon atje tanimë janë gati për të nisur për herë të parë kryerjen e testeve të serologjisë për COVID-19. Duke folur për Doktor33, doktor Koraqi shpjegon se përveç tamponit që kthehet në ISHP, në laboratorin që ai drejton do të kryhet një analizë gjaku për të parë Igm dhe Igg, të cilat tregojnë kur je i infektuar nga SARS-CoV-2 dhe nëse organizmi ka krijuar antitrupa për t'u mbrojtur.
Doktor Koraqi tregon se laboratori do të certifikohet nga OBSH-ja për të kryer këto teste të cilat kanë mbërritur tanimë. Pritet vetëm vendimi i komitetit teknik që është ngritur për epideminë COVID-19, në mënyrë që të japë aprovimin për të filluar.
Me shumë gjasë, do të nisë në fillim të javës që vjen, thotë dr. Koraqi, pasi gjithçka është gati. Është diskutuar që këtë test ta kryejë së pari personeli mjekësor, por më vonë mund të zgjerohet, pasi testimi do të kryhet në disa faza dhe në secilën prej tyre, do të vendoset nëse do të vijohet me tjetrën.
Testi i serologjisë do të japë të dhëna nëse një person që është prekur nga SARS-CoV-2 do të preket sërish nga ky virus, apo jo.
Ndërkohë, sipas shefit të laboratorit të mikrobiologjisë, virusi ka shfaqur tre shtame; njëri është i lehtë dhe tjetri agresiv, që ka shkaktuar vdekshmëri të lartë. Në Shqipëri, sipas tij, ka prekur shtami i tretë, që nuk është shumë agresiv, por ka sëmundshmëri të gjatë. Megjithatë, shton ai, po studiohet në vazhdimësi pasi ka shumë të panjohura.
Alma Demiraj