qer12020
Konsumi i alkoolit dhe gjendja shëndetësore. Nevojiten qasje të synuara
Sipas autorëve të një studimi të botuar në "Jama Network Open", sistemi shëndetësor dhe mjekët duhet të ndihmojnë pacientët me kushte të caktuara mjekësore, që të zvogëlojnë konsumin jo të shëndetshëm të alkoolit dhe rreziqet për shëndetin. Stacy A. Sterling, nga Kaiser Permanente, Kaliforni e Veriut dhe kolegët, vlerësuan lidhjen midis 26 kushteve mjekësore dhe niveleve të konsumit të alkoolit, duke përdorur të dhënat e dosjeve mjekësore elektronike nga një mostër prej 2.7 milionë pacientësh të rritur, pjesë e kujdesit parësor, që i nënshtrohen një programi për skrinimin e përdorimit të alkoolit në periudhën 2014-2017.
Është vërejtur që pacientët me kushte të caktuara mjekësore (përveç atyre të diagnostikuar me lëndime ose helmim) kishin më pak të ngjarë të konsumonin alkool sesa ata që nuk kishin kushte mjekësore. Siç shpjegojnë autorët, kjo është në përputhje me studimet e mëparshme që zbuluan se moskonsumimi i alkoolit shoqërohej me shëndet më të dobët. Arsyet mund të jetë fakti që njerëzit me shëndet të dobët e ndalin pirjen e alkoolit për shkak të efekteve në simptomat e gjendjes së tyre të veçantë. "Sidoqoftë, mes atyre që raportuan se pinin, gjetëm lidhje më të ndërlikuara", vazhdojnë autorët.
Për më tepër, njerëzit me diabet, hipertension, sëmundje pulmonare obstruktive kronike (BPCO) dhe diagnozën e dëmtimit ose helmimit, kishin më shumë të ngjarë të tejkalonin kufijtë e konsumit ditor. Ata me fibrilacion atrial, kancer, BPCO ose hipertension, kishin më shumë të ngjarë të tejkalonin kufijtë e konsumit javor dhe ata me BPCO, sëmundje kronike të mëlçisë ose hipertension, më të predispozuar t'i tejkalonin të dy kufijtë. Siç raportojnë autorët, këta individë mund të përkeqësojnë kushtet e tyre dhe të rrezikojnë regjimet e trajtimit me konsumimin e alkoolit në nivele jo të shëndetshme.
Sipas Sterlingut dhe kolegëve, janë të nevojshme studime të mëtejshme pikërisht për të identifikuar se si klinicistët mund të përshtatin ekzaminimin e pacientëve me kushte të caktuara kronike mjekësore dhe ndërhyrjet që i ndihmojnë ata të reduktojnë konsumin e tepruar të alkoolit dhe gjithashtu, të minimizojnë rreziqet për shëndetin.
Jama Netw Open. 2020. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2020.4687
https://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2020.4687