kor32020
Tamponi për Covid-19, tani në QSUT. Prof. dr. Andi Korraqi: Laboratori i mikrobiologjisë ka përvojën e duhur
Testi për Covid-19 nëpërmjet tamponit pritet të fillojë të kryhet këto ditë edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare. Por, shefi i laboratorit, prof. dr. Andi Korraqi ka shpjeguar se ky tampon do të kryhet si fillim vetëm për pacientët që trajtohen në Shërbimin Infektiv dhe duhet të lënë ambientet e spitalit.
"OBSH-ja ka kërkuar qe pacienti i prekur nga Covid-19 duhet të kryejë dy tamponë për të parë nëse është negativizuar. Tani, do të kryhet në laboratorin e QSUT-së ky tampon që është protokoll dhe jo tampon për diagnozë", ka shpjeguar prof. Korraqi.
I pyetur nga Doktor33, nëse kanë përvojë laborantët e këtij laboratori, prof. dr. Korraqi shprehet me bindje të plotë:
"Sigurisht që kanë përvojë pasi është një laborator reference ngaqë është në një qendër spitalore terciare. Real time PCR është bërë te ne në vitin 2009. Si procedurë nuk ndryshon. Nuk u bë që në fillim pasi diagnoza është problem i shëndetit publik dhe duhej bërë atje. Tani u pa i nevojshëm dhe ne do ta bëjmë vetëm për pacientët e QSUT-së", shprehet Korraqi.
Ndërsa kërkesën e hershme të mjekëve për të testuar me tampon çdo pacient që vjen për shërbim në QSUT, prof. Korraqi e shikon si të pamundur të realizohet.
Alma Demiraj