gus312020
Colchicine rezulton shumë efektive në parandalimin kardiovaskular. Ja, studimet
Një rënie prej 23% e vdekjes nga ngjarjet kardiovaskulare dhe nga ngjarje të tilla si infarkti dhe iktusi jofatal, për pacientët që janë në fazën e parandalimit sekondar pas sëmundjes. Ky është rezultati i studimit të pavarur, Colcot, i financuar nga qeveria kanadeze dhe i kryer mbi përdorimin e colchicine-s, një medikament me kosto shumë të ulët dhe në përdorim prej shumë vjetësh. Hulumtimi përfshiu pacientë që kishin patur një infarkti miokardi gjatë kohëve të fundit (brenda një muaji), pavarësisht vlerave të proteinës reaktive C (CRP) dhe të trajtuar me terapitë më të mira të rekomanduara për parandalimin sekondar. Lajmi është dhënë nga ANMCO (Shoqata Kombëtare Italiane e Kardiologëve Spitalorë), Kongresi i 51-të i së cilës sapo ka përfunduar në Rimini.
Studimi tjetër, Ischemia, i financuar nga NIH (në SHBA), ka dalë në përfundimin se terapia mjekësore është ekuivalente në pacientët me ishemi të moderuar të rëndë dhe stenozë koronare, deri te ndërhyrja e rivaskularizimit. "Në fund të një ndjekjeje mesatare prej 4 vjetësh, të dyja strategjitë, shpjegon Aldo Maggioni, drejtor i qendrës së studimit, janë ekuivalente përsa iu përket ngjarjeve kryesore klinike (vdekja kardiovaskulare, infarkti, shtrimi në spital për anginë të paqëndrueshme ose pamjaftueshmëri, arrest kardiak). Megjithatë, ka dalë një vëzhgim interesant: 6 muaj pas përzgjedhjes në mënyrë rastësore, në grupin e ndërhyrjes u vërejt një shtim i infarkteve peri-procedurale, ndërsa pas 4 vjetësh, një shtim i infarkteve spontane në grupin e terapisë mjekësore. Një zgjatje e ndjekjes, e planifikuar për 7 vjet, do të sigurojë informacione të mëtejshme, vendimtare për praktikën klinike".
Në kongres, Michele Massimo Gulizia, drejtor i Kardiologjisë në Spitalin Garibaldi-Nesima në Katania, ka njoftuar edhe për nisjen e studimit Blitz AF Cancer, "studimi i parë në botë që do të na japë mundësinë të njohim incidencën reale të ndërveprimeve farmakologjike dhe të gjakderdhjeve (që shqetësojnë dhe kufizojnë përdorimin e saktë të terapisë antikoagulante) te pacientët me kancer dhe fibrilacion atrial".