Shëndetësi

shk172021

Barnat kundër osteoporozës, mund të ofrojnë mbrojtje nga infeksioni Sars-CoV-2

Manifestimet klinike të infeksionit Sars-CoV-2 përfshijnë një fazë të parë të simptomave të lehta (ethe, kollë e thatë, anozmi/ageuzi dhe diarre) dhe një fazë të dytë të karakterizuar nga efektet e gjendjes pro-inflamatore sistemike, me përparim drejt simptomave më të rënda (dispne, dëmtime të rënda të sistemit të frymëmarrjes dhe hipoksemi). "Përparimi i sëmundjes", kujton Maurizio Merico (Njësia e Andrologjisë dhe Mjekësisë Riprodhuese në spitalin e Padovës), "ka qenë i ndërlidhur me një përgjigje "hiper-inflamatore", me nivele të larta të treguesve inflamatorë dhe citokinave proinflamatore, ndonjëherë me një gjendje prokoaguluese".

Gjatë këtyre muajve të pandemisë Sars-CoV-2, kanë dalë disa prova mbi efikasitetin e mundshëm të barnave reumatologjike, tashmë në përdorim për trajtimin e sëmundjeve inflamatore të ndërmjetësuara nga imuniteti, të tillë si antagonistët e IL-6, tocilizumabi dhe sarilumabi, që, duke pakësuar përgjigjen inflamatore, mund të reduktojnë manifestimet e rënda klinike të fazës së dytë të infeksionit. "Një studim transversal i kohëve të fundit vlerësoi ndikimin e barnave anti-osteoporotike, me dhe pa efekte modifikuese në përgjigjen imune, në incidencën e infeksionit Covid-19", raporton Merico. "Është marrë në konsideratë një popullsi prej 2102 pacientësh që i përkisnin shërbimit reumatologjik të Spitalit "Del Mar" në Barcelonë, në periudhën 1 mars deri më 3 maj 2020, 80.5% gra, me moshë mesatare 66.4 vjeç, 63.7% që vuajnë nga artroza, 43.5% nga osteoporoza dhe 27.2% nga fibromialgjia dhe me sëmundjet bashkëshoqëruese që vijojnë: hipertension (42.4%), sëmundje pulmonare (15.0%), sëmundje kardiovaskulare (14.9%), diabet (12.6%)".

Në popullatën e analizuar, 109 pacientë (5.19%) ishin prekur nga Covid-19, specifikon specialisti. Rreziku relativ për Covid-19 në raport me trajtimet anti-osteoporotike, raporton Merico, është ky:


a) denosumab 0,58 (95% CI 0,28-1,22);

b) zoledronate intravenoze 0.62 (95% CI 0.27-1.41);

c) kalcium 0.64 (95% CI 0.37-1.12);

d) bisfosfonate orale, vitaminë D (dhe diuretikë tiazidë, NSAID, analgjezikë), nuk treguan asnjë lidhje.

 

"Studimi tregon kështu një efekt mbrojtës të denosumabit dhe zoledronatit kundër Covid-19, i lidhur me ndikimet e këtyre barnave në qeliza të ndryshme të përfshira në përgjigjen inflamatore", vëren Merico. "Kufizimet e kësaj pune", shton ai, "qëndrojnë në analizën e një mostre heterogjene pacientësh me kuadër kompleks dhe me sëmundje bashkëshoqëruese; për më tepër, në vlerësimin e efektit të barnave antiosteoporotike, u morën parasysh vetëm rastet e infeksionit Covid-19 të manifestuar dhe jo pacientët asimptomatikë".

Si përfundim, thotë Merico, "ky punim thekson një incidencë më të ulët të infeksionit Sars-CoV-2 në pacientët e trajtuar me disa barna anti-osteoporotike (denosumab, zoledronate dhe kalcium) dhe një efekt neutral të të tjerëve (bifosfonate orale). Megjithëse nuk mund të rekomandojmë përdorimin e këtyre barnave për të luftuar infeksionin Sars-CoV2 (për shkak të mungesës së të dhënave dhe natyrës transversale të studimit, të ngarkuar me defekte të shumta), konfirmohet rekomandimi i shoqatave shkencore për të ruajtur trajtimin me barna anti-osteoporotike në pacientët me Covid-19, çështje me rëndësi të veçantë sidomos në popullatën e moshuar".

 

Aging, 2020;12:19923-19937. Doi: 10.18632/aging.104117.

https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/33080571/ 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC