mar172021
Vaksinat Covid. Moderna nis testimin te fëmijët. GSK-ja në fazën e tretë
Megjithëse tashmë janë në përdorim disa vaksina anti Covid, aktivitetet e testimit nuk ndalen, si të atyre të miratuara tashmë, për të zgjeruar gamën e njerëzve që do të imunizohen, ashtu edhe të kandidateve të reja, që mund të pasurojnë arsenalin kundër virusit në muajt e ardhshëm. Ky është rasti i Modernës, e cila njoftoi se ka nisur testimin te fëmijët dhe i vaksinës kanadezo-zvicerane të Medicago-GSK, e cila ka hyrë në fazën e tretë te të rriturit.
Sa i përket testit të fazës 2 dhe 3 të vaksinës Moderna, thuhet në një njoftim për shtyp të kompanisë, janë inokuluar fëmijët e parë, të grupmoshës 6 muajsh deri në 12 vjeç. Studimi, i kryer me Institutet Kombëtare të Shëndetit të SHBA-së dhe Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, ka për qëllim të regjistrojë 6,750 fëmijë në SHBA dhe Kanada, të cilëve do t'u jepen dy doza me 28 ditë me largësi. "Jemi inkurajuar nga rezultatet e testeve të fazës 3 te të rriturit, shpjegoi Ste'phane Bancel, shefja ekzekutive e Modernës, dhe ky studim pediatrik do të na ndihmojë të kuptojmë sigurinë dhe imunogjenicitetin e vaksinës te më të rinjtë". Në pjesën e parë të eksperimentimit, e cila parashikon që gjysmës së subjekteve t'u jepet placebo, do të testohen doza të ndryshme: subjekteve nga 2 deri në 12 vjeç do t'u jepen 50 ose 100 mikrogramë, ndërsa atyre nga 6-muajsh deri në 2 vjeç, 25, 50 dhe 100 mikrogramë, mes të cilave, kjo e fundit është doza që u jepet të rriturve. Pas një analize ad interim, do të identifikohet doza optimale, e cila do të përdoret në fazën e dytë dhe të gjithë pjesëmarrësit do të ndiqen për një vit pas vaksinimit të dytë, për të vlerësuar sigurinë, efikasitetin dhe aftësinë e vaksinës për të gjeneruar një reagim imun.
Ky eksperimentim pediatrik i shtohet atij të njoftuar nga Pfizeri, i cili do t'i përkasë moshës 12-15 vjeç. Për të rriturit, është njoftuar edhe testi i fazës 3 nga Medicago (kompani kanadeze biofarmaceutike) dhe GlaxoSmithKline, në të cilin do të testohet vaksina kandidate Covid-19 me bazë bimore, e kombinuar me adjuvantin pandemik të GSK-së, një substancë që jep mundësi për uljen e sasisë së proteinave të nevojshme për të zhvilluar përgjigjen imune. Eksperimenti ka marrë aprovimin e autoriteteve rregullatore kanadeze dhe atyre në SHBA dhe do të përfshijë 30,000 subjekte, fillimisht të rritur të shëndetshëm (18-65 vjeç), të ndjekur nga të rritur të moshuar (65 vjeç e lart) dhe të rritur me sëmundje bashkëshoqëruese. Testimi do të zhvillohet në 10 vende.