maj252021
Për kë është i nevojshëm kontrolli i hipertensionit? Studimi jep përgjigje
Ekspertët e Task Forcës së Shërbimeve Parandaluese të Shteteve të Bashkuara (USPSTF) përsërisin rëndësinë e faktit që të gjithë njerëzit mbi 18 vjeç të kontrollohen për hipertension dhe që para se të nisë çfarëdolloj trajtimi kundër hipertensionit, diagnoza të konfirmohet nga matjet e përsëritura të pacientit në kushte ambulatore ose në shtëpi. Deklarata, në përputhje me qëndrimin e miratuar nga USPSTF-ja në vitin 2015, u botua në "JAMA" si pjesë e një rishikimi sistematik, duke shqyrtuar disa artikuj që mbështesin përfitimet shëndetësore të depistimit të hipertensionit përkundër dëmtimeve të pakta ose mungesës së dëmtimeve që vijnë për shkak të diagnozës së hershme brenda dhe jashtë ambulatorit mjekësor.
"Kur filluam punën, pyesnim veten nëse duhej të tërhiqnim rekomandimin tonë të vitit 2015, por gjetëm prova që provojnë të kundërtën. Për këtë arsye, përsërisim që të rriturit duhet të kontrollohen për hipertension dhe, ç'është e rëndësishme, që fillimisht vlerat e larta të matura në klinikë duhet të konfirmohen në shtëpi", thotë nënkryetari i task forcës, Michael Barry (Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets). Në veçanti, task forca rekomandon depistimin vjetor për hipertension te të rriturit e moshës 40 vjeç e lart, ata me rrezik të lartë dhe te njerëzit obezë ose në mbipeshë. Për më tepër, ekspertët e USPSTF-së e marrin në konsideratë depistimin çdo 3-5 vjet të përshtatshëm për grupmoshën 18-39 vjeç.
Rishikimin e studimeve mbi rreziqet dhe përfitimet e diagnostikimit të hershëm të hipertensionit dhe mbi saktësinë e matjeve ambulatore dhe shtëpiake, task forca ia ka ngarkuar një grupi ekspertësh të koordinuar nga Janelle Guirguis-Blake (Universiteti i Uashingtonit), që ka zgjedhur 52 studime me një numër të përgjithshëm prej 215,534 vetësh.
"Sipas bilancit, depistimi ambulator, përveçse redukton shtrimet në spital, nuk ka asnjë ndikim në cilësinë e jetës ose rezultate të pafavorshme psikologjike", shpjegojnë autorët, duke nënvizuar se nuk janë shfaqur dëme, përveçse te disa pacientë që raportuan se mbajtja e monitoruesit gjatë natës, ndikonte në gjumin e tyre. "Së fundi, megjithëse matja e presionit të gjakut në ambulator është studiuar më shumë sesa në shtëpi, ka prova të mjaftueshme që kjo e fundit është një alternativë e vlefshme", përfundon Guirguis-Blake.
JAMA 2021. Doi: 10.1001/jama.2021.4987
http://doi.org/10.1001/jama.2021.4987