sht142021
Covid 19. Vaksina në formë spray nazal. Rezultate të mira paraklinike
Një vaksinë e re që përfshin administrimin me inhalim, ka pasur rezultate të mira në testet paraklinike. Vaksina e zhvilluar në Francë, përbëhet nga proteina kunj dhe mund të tregtohet në vitin 2023. Veçantia e saj është se administrimi bëhet me inhalim dhe jo me injektim. Për momentin, vaksina është testuar vetëm te kafshët dhe është zhvilluar nga BIOMAP (Instituti Kombëtar i Kërkimeve për Bujqësinë, Ushqimin dhe Mjedisin/INRAE), së bashku me Universitetin Tours. Vaksina përbëhet nga proteina kunj dhe nga proteinat virale jo-mutante dhe duhet të jetë mbrojtëse, pavarësisht nga mutacionet virale dhe shtami qarkullues i coronavirusit.
Përgjigje e fortë imune me dy administrime
Studiuesit raportuan rezultate të mira në testet paraklinike: "Dy administrime nazale, me distancë prej tre javësh, shkaktojnë një përgjigje të fortë imune të antitrupave - veçanërisht në imunoglobulinat A të mukozës, të cilat janë efektive në variante të ndryshme të Sars-CoV-2 dhe qelizore, në zgavrat e hundës dhe në mushkëri". Efektiviteti mbrojtës u testua edhe përsa i përket mbijetesës dhe mungesës së shenjave klinike. Në fakt, pas vaksinimit, 100% e kafshëve të cilave iu administrua vaksina, mbijetuan pa zhvilluar ndonjë shenjë klinike si probleme me frymëmarrjen, rënie në peshë etj., ndryshe nga grupi i kafshëve të pavaksinuara.
Së fundi, vaksina u testua edhe përsa i përket ngjitshmërisë te brejtësi sirian, që riprodhon patofiziologjinë njerëzore të Covid-19, me rezultate të qarta, sipas studiuesve: "Kafshët e infektuara të vaksinuara nuk treguan ndonjë ngarkesë virale pulmonare dhe nazale të zbulueshme, ndryshe nga të infektuarat e pavaksinuara. Këto rezultate tregojnë një eliminim total të transmetueshmërisë midis individëve". Studiuesit shtojnë se kjo vaksinë mund të shërbejë gjithashtu si një nxitës në popullatën tashmë të vaksinuar, në mënyrë që të shmanget transmetimi i sëmundjes".
BIOMAP-i do ta nisë fazën e prodhimit në vjeshtë, me synimin për një fazë klinike në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Cristoforo Zervos