tet52021
Covid-19. Rënia e jetëgjatësisë sot, në Evropë, aq sa në Luftën e Dytë Botërore
Pandemia Covid-19 ka shkaktuar një rënie të jetëgjatësisë në Evropën Perëndimore që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe më e madhe se ajo e vërejtur në periudhën e shpërbërjes së Bllokut Lindor në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Kështu ka referuar një studim i botuar në International Journal of Epidemiology, kryer nga studiuesit e Oksfordit, të drejtuar nga Ridhi Kashyap.
Ekspertët mblodhën të dhëna në 29 vende (përfshirë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Kilin) dhe zbuluan se jetëgjatësia ra në mënyrë dramatike në vitin 2020 në 27 nga këto vende, duke fshirë vitet e përparimeve sa i përket vdekshmërisë. Ekspertët panë që gratë (në 15 vende) dhe burrat (në 10) kishin një jetëgjatësi më të shkurtër në 2020-tën sesa në 2015-tën, kur kjo shifër kishte rënë tashmë nga një sezon i rëndë gripi. "Për vendet e Evropës Perëndimore, si Spanja, Anglia dhe Uellsi, Italia, Belgjika dhe të tjera, për herë të fundit, rënie të tilla të mëdha të jetëgjatësisë janë vënë re vetëm në një vit, gjatë Luftës së Dytë Botërore", shpjegojnë autorët. "Meshkujt në 11 vende kanë pësuar humbje për më shumë se një vit. Për të kuptuar më mirë peshën e këtyre të dhënave, thjesht mendoni se kohët e fundit, rritja e jetëgjatësisë vazhdonte mesatarisht në masën e një viti më shumë, çdo 5 vjet e gjysmë: "Këto përparime janë fshirë fjalë për fjalë gjatë vitit 2020 nga Covid-19", shpjegojnë ekspertët. Në shumicën e 29 vendeve, meshkujt panë një rënie më të madhe të jetëgjatësisë sesa femrat, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku burrat panë një rënie prej 2.2 vjetësh nga nivelet e vitit 2019 dhe në Lituani, me një reduktim prej 1.7 vjetësh.
"Rënia e madhe e jetëgjatësisë e vërejtur në Shtetet e Bashkuara mund të shpjegohet pjesërisht me rritjen e konsiderueshme të vdekshmërisë në moshë pune të vërejtur në vitin 2020. Megjithatë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara rritja e vdekshmërisë te njerëzit nën 60 vjeç ka kontribuar në mënyrë më të konsiderueshme në rënien e jetëgjatësisë, në pjesën më të madhe të Evropës roli kryesor në rritjen e vdekshmërisë sigurisht që kishte të bënte me grupmoshën mbi 60 vjeç", shpjegon Kashyap-i.
Analiza e të dhënave zbuloi gjithashtu se në shumicën e rasteve, rënia e jetëgjatësisë i atribuohet drejtpërdrejt Covid-19. "Ndërsa ne e dimë se ka disa çështje që lidhen me numrin e vdekjeve nga COVID-19, të tilla si testimi i papërshtatshëm ose klasifikimi i gabuar, fakti që rezultatet tona nxjerrin në pah një ndikim kaq të madh që i atribuohet drejtpërdrejt Covid-19, tregon se çfarë shoku shkatërrues ka qenë kjo sëmundje në shumë vende. Ne bëjmë thirrje urgjente për publikimin dhe disponueshmërinë e të dhënave më të kategorizuara nga një gamë më e gjerë vendesh, përfshirë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për të kuptuar më mirë ndikimet e pandemisë në nivel global", përfundojnë autorët.
International Journal of Epidemiology Published: 26 September 2021
https://doi.org/10.1093/ije/dyab207