Shëndetësi

tet262021

Çrregullimi bipolar. Një gjen me aktivizim të reduktuar mund të qëndrojë në bazë të rezistencës ndaj litiumit

Një rënie në aktivizimin e një gjeni specifik mund të shpjegojë pse shumë pacientë me çrregullime bipolare (BD) nuk i përgjigjen trajtimit me litium, sipas një studimi të botuar në Molecular Psychiatry. "Megjithëse litiumi konsiderohet "standardi i artë" për trajtimin e këtij çrregullimi, pothuajse 70% e pacientëve me BD nuk i përgjigjen një terapie të tillë", thotë Renata Santos (Instituti Salk për Studime Biologjike, La Jolla dhe Instituti i Psikiatrisë dhe Neuroshkencës në Paris), autore e parë e studimit.

Studiuesit u nisën nga kërkimet e mëparshme mbi mekanizmat molekularë që qëndrojnë në bazë të rezistencës ndaj litiumit dhe kërkuan objektiva specifikë që lidhen me këtë lloj problemi. Për t'u thelluar në këtë temë, ata studiuan tre individë me BD të tipit 1, të cilët u klasifikuan në "pacientë që iu përgjigjën trajtimit", bazuar në një shkallë matjeje të vlefshme, tre me BD të tipit 1 dhe të klasifikuar si "pacientë që nuk iu përgjigjën trajtimit" dhe katër që nuk ishin prekur nga BD-ja, si një grup kontrolli i shëndetshëm. Neuronet e pjesëmarrësve u kultivuan duke përdorur metoda të rritjes së qelizave staminale. Dispozicioni dhe sjellja e këtyre neuroneve u krahasuan më pas midis grupeve.

Në këtë studim të vogël, janë hasur mungesa të gjenit LEF1 tek ata që nuk iu përgjigjën trajtimit. Aktivizimi i reduktuar i LEF1 jo vetëm që prishi funksionin normal të neuroneve, por edhe promovoi hipereksitueshmërinë qelizore. Është interesante të vihet re se, kur u administrua acidi valproik, neuronet treguan një rritje të aktivizimit gjenik, duke përfshirë një rritje në nivelet e LEF1. Sipas ekspertëve, ky hulumtim mund të çojë drejt një objektivi të ri farmakologjik për BD-në dhe te një bioshenjues për mospërgjigjen ndaj litiumit. "Për momentin, gjithsesi, ky duhet të konsiderohet një studim mbi të cilin do të bazohen kërkimet e ardhshme", thotë Santosi.
Autorët theksojnë se ata janë vetëm në fillim të të kuptuarit se çfarë ndodh te pacientët që nuk i përgjigjen litiumit dhe se duke u thelluar në këtë argument, mund të gjendet një trajtim edhe për ta.


Molecular Psychiatry 2021. Doi: 10.1038/s41380-020-00981-3
https://doi.org/10.1038/s41380-020-00981-3 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC