Shëndetësi

nën302021

Terapia hormonale në menopauzë. Vijnë përgjigjet nga një studim: nuk shton rrezikun për demencë

Terapia hormonale e menopauzës nuk lidhet me një rrezik të shtuar për zhvillim të demencës, pavarësisht nga lloji, doza, ose kohëzgjatja e hormonit, sipas një studimi të botuar në British Medical Journal. "Disa studime kanë zbuluar një rrezik në rritje për zhvillim të demencës te përdoruesit e trajtimeve me estrogjen-progestogjen, por situata është e paqartë. Kjo është arsyeja pse vendosëm të vlerësonim rreziqet e zhvillimit të demencës te gratë që përdorin ndonjë nga trajtimet e terapisë hormonale për menopauzën, të përshkruara zakonisht nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe", thotë Yana Vinogradova, nga Universiteti i Nottinghamit, autorja e parë e punimit.

Studiuesit përdorën dy baza të dhënash të kujdesit parësor në Britaninë e Madhe për të analizuar recetat e terapisë hormonale për menopauzën në 118,501 gra të moshës 55 vjeç e lart, të diagnostikuara me demencë dhe 497,416 gra të përputhshme sipas moshës dhe shëndetit të përgjithshëm, por pa demencë. Në përgjithësi, 16,291 raste dhe 68,726 kontrolle ishin ekspozuar ndaj terapisë hormonale për menopauzën. Pas përshtatjes sipas faktorëve ngatërrues, siç janë historia familjare, duhanpirja, konsumimi i alkoolit, sëmundjet bashkëshoqëruese dhe medikamentet e tjera të përshkruara, ekspertët nuk vëzhguan asnjë lidhje të përgjithshme midis përdorimit të terapisë hormonale dhe rrezikut për demencë, pavarësisht nga lloji i hormonit, aplikimi, doza ose kohëzgjatja e trajtimit.

Brenda nëngrupit të moshës nën 80 vjeç, të cilët kishin marrë terapi vetëm me estrogjen për 10 vjet ose më shumë, autorët gjetën një rrezik lehtësisht të reduktuar për demencë; megjithatë, një analizë e rasteve me diagnozë specifike të sëmundjes së Alzheimerit tregoi një shtim të lehtë të rrezikut të lidhur me terapinë estro-progestenike, e cila rritej gradualisht me çdo vit ekspozimi, duke arritur një rritje mesatare prej 11% për përdorim 5-9 vjet dhe mesatarisht 19%, për përdorim për 10 vjet ose më shumë. "Rezultatet do të jenë të dobishme për politikëbërësit, mjekët dhe pacientët kur bëjnë zgjedhje në lidhje me terapinë hormonale", përfundojnë autorët.

 

BMJ 2021. Doi: 10.1136/bmj.n2182
https://doi.org/10.1136/bmj.n2182


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC