pri122022
Rrezik i shtuar për astmë dhe ekzemë te fëmijët, prej përdorimit të dezinfektuesve nga nëna
Përdorimi i dezinfektuesve nga gratë shtatzëna mund të jetë një faktor rreziku për zhvillimin e astmës dhe ekzemës te foshnjat, thuhet në një studim të publikuar në Occupational Environmental Medicine. "Ekspozimi ndaj dezinfektuesve në vendin e punës ka qenë i lidhur më parë me astmën dhe dermatitin, por pak studime kanë shqyrtuar efektet e përdorimit të dezinfektuesve gjatë shtatzënisë, në zhvillimin e mëvonshëm të sëmundjeve alergjike te fëmijët", thotë Reiji Kojima, nga Universiteti i Yamanashit në Japoni, që ka udhëhequr grupin e punës.
Studiuesit studiuan të dhënat e 78,915 çifteve nënë-fëmijë që morën pjesë në Studimin Japan Environment and Children's për të kuptuar nëse ekspozimi i nënave ndaj dezinfektuesve në vendin e punës ishte i lidhur me një rrezik të shtuar për diagnozë të sëmundjeve alergjike te fëmijët e tyre në moshën tre vjeçare. Ekspertët vunë në dukje se gjasat për astmë ose ekzemë ishin dukshëm më të larta te fëmijët e nënave që përdornin dezinfektuesin një deri në gjashtë herë në javë, krahasuar me fëmijët, nënat e të cilëve nuk përdornin kurrë dezinfektues. Në praktikë, fëmijët e nënave të ekspozuara ndaj dezinfektuesve çdo ditë, kishin 26% më shumë gjasa për t'u diagnostikuar me astmë dhe 29% më shumë gjasa për t'u diagnostikuar me ekzemë sesa fëmijët e nënave që nuk ishin ekspozuar kurrë ndaj dezinfektuesve. Nga ana tjetër, nuk u shfaqën lidhje domethënëse midis përdorimit të dezinfektuesve dhe alergjive ushqimore. Autorët theksojnë se gjetjet e tyre tregojnë se ekspozimi ndaj dezinfektuesve gjatë shtatzënisë ushtron një efekt mbi alergjitë te pasardhësit, pavarësisht nëse nëna kthehet në punë kur fëmija është një vjeç dhe kështu, sugjerojnë që ekspozimi në periudhën prenatale është veçanërisht i rëndësishëm. Studiuesit sugjerojnë disa mekanizma që mund ta shpjegojnë këtë situatë, duke përfshirë ndikimin e dezinfektuesve në mikroflorën intestinale dhe kutane, ose disa fenomene të ndërmjetësuara nga imuniteti.
"Duke pasur parasysh shtimin e përdorimit të dezinfektuesve aktualisht për të parandaluar infeksionet e reja nga coronavirusi, është e një rëndësie të madhe për shëndetin publik të merret në konsideratë nëse ekspozimi ndaj dezinfektuesve para lindjes, përbën një rrezik për zhvillimin e sëmundjeve alergjike", përfundojnë autorët.
Occupational Environmental Medicine 2022. Doi: 10.1136/oemed-2021-108034
http://doi.org/10.1136/oemed-2021-108034