Shëndetësi

shk152023

Efektiviteti i vitaminës D ndryshon në varësi të indeksit të masës trupore

Sipas një studimi të botuar në "JAMA Network Open", indeksi i masës trupore (IMT) mund të shoqërohet me një përgjigje të modifikuar ndaj plotësimit me vitaminë D, ky fakt mund të shpjegojë pjesërisht rezultatet e pakënaqshme të vërejtura pas marrjes së suplementeve të vitaminës D tek individët me IMT të lartë.

Në studimin Vitamin D and Omega-3 (VITAL), efektet e plotësimit në mënyrë rastësore me vitaminë D (kolekalciferol), 2000 IU/ditë, reduktuan rrezikun e disa rezultateve shëndetësore te pjesëmarrësit me peshë trupore normale, por jo tek ata me mbipeshë.

"Ishte e paqartë nëse pesha lidhej me rezultatet e suplementeve", thotë autorja kryesore e studimit Deirdre Tobias nga Shkolla Mjekësore e Harvardit në Boston, SHBA.

Studiuesit u përpoqën të kuptonin nëse IMT-ja bazë mund të modifikojë metabolizmin e vitaminës D dhe përgjigjen ndaj suplementeve. Për këtë arsye ata kryen një analizë te një nëngrup pjesëmarrësish të studimit VITAL, të cilëve iu mor nga një kampion gjaku në nisje të studimit (16,515 pjesëmarrës) dhe në një nëngrup me një kampion të përsëritur në ndjekjen dyvjeçare (2,742 pjesëmarrës).

Përpara përzgjedhjes në mënyrë rastësore për të marrë vitaminë D ose placebo, nivelet totale të serumit të 25-hidroksivitaminës D (25-OHD) ishin në mënyrë progresive më të ulëta me rritjen e IMT-së. Në mënyrë të ngjashme, nivelet bazë të 25-OHD3, vitaminës D të lirë (FVD), vitaminës D të biodisponueshme (BioD), proteinës që lidh vitaminën D (VDBP), albuminës dhe kalciumit ishin më të ulëta në rastin e IMT-së më të lartë, ndërsa niveli i hormonit paratiroid (PTH) ishte më i lartë me rritjen e indeksit.

Krahasuar me placebon, plotësimi me vitaminë D u shoqërua me rritje të niveleve totale 25-OHD, 25-OHD3, FVD dhe BioD në ndjekjen dyvjeçare, por rritjet ishin dukshëm më të vogla për kategoritë e IMT-ve më të larta. Suplementimi nuk i ndryshoi nivelet e VDBP, albuminës, PTH ose kalciumit.

"Këto gjetje demonstrojnë nevojën për studime të reja për të përcaktuar dozën optimale të vitaminës D që qarkullon te individët me obezitet për rezultate të ndryshme shëndetësore", shkruan në një editorial të lidhur Katherine Bachmann nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt në Nashville, SHBA.

 

JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.50681
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.50681

JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.50695
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.50695


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC