Shëndetësi

mar262024

Sëmundja renale kronike, patologji e heshtur

Sinteza e qelizave të kuqe të gjakut, ruajtja e niveleve të duhura të mineraleve të rëndësishme në organizëm dhe rregullimi i presionit të gjakut, janë disa nga proceset që kryhen në veshka. Këto të fundit janë organe që funksionojnë si filtër për organizmin, me qëllim eliminimin e mbetjeve. Shëndetit të veshkave u është dedikuar një ditë botërore ndërgjegjësimi, nëpërmjet së cilës synohet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të shëndetit të veshkave, duke parandaluar patologji, të tilla si sëmundja renale kronike, patologji e heshtur, e cila shpesh zbulohet vetëm në faza të avancuara.

Përhapja e sëmundjes renale kronike dhe ndërgjegjësimi rreth saj
Sëmundja renale kronike përbën edhe një shqetësim për shëndetin publik. Sipas të dhënave, pothuajse 13% e popullatës së rritur në SHBA, shfaqet me sëmundje renale kronike, por prevalenca shkon deri në 15-30% te të moshuarit dhe tejkalon 50% te individët me sëmundje kardiovaskulare metabolike. Sipas Global Burden 2018, incidenca botërore e sëmundjes renale kronike është shtuar me 89% në 27 vite dhe njëkohësisht, është shtuar edhe numri absolut i pacientëve me sëmundje renale kronike, me 87% në të njëjtën periudhë kohore. Duke marrë parasysh incidencën e shtuar të hipertensionit, diabetit dhe sindromës metabolike, pritet që vitet e ardhshme të shtohet edhe numri i pacientëve nefropatikë.

Megjithatë, këto të dhëna të përhapjes nuk korrespondojnë me ndërgjegjësimin e problemit. Në fakt, afro gjysma e italianëve e injorojnë sëmundjen, edhe kur ajo është në faza të avancuara. Gjithashtu, nga studimi CARHES, rezultoi se vetëm 10% e pacientëve me sëmundje renale kronike ishin në dijeni të saj.

Ndikimi i sëmundjes renale kronike dhe rëndësia e diagnostikimit të hershëm
Në vitin 2019, më shumë se 3.1 milionë individë ndërruan jetë nga sëmundja renale kronike. Aktualisht, kjo patologji, e renditur e teta ndër shkaqet e vdekjes, mund të shkojë në vendin e pestë brenda vitit 2040. Përveç kësaj, sëmundja renale kronike ka kosto të mëdha, të drejtpërdrejta ose jo. Në vitin 2001, në Itali, 1.8% e buxhetit për kujdesin shëndetësor shpenzohej për pacientët në fazat e fundit, të cilët përfaqësonin vetëm 0.083% të të gjithë popullsisë.

Megjithatë, sëmundja renale kronike është patologji e heshtur. Një individ mund të arrijë të humbasë deri në 90% të funksionimit renal, kryesisht në fazën para dializës, pa shfaqur asnjë simptomë. Për më tepër, simptomat fillestare janë jospecifike, të tilla si: lodhja, kruarja dhe mungesa e oreksit. Pra, diagnostikimi i hershëm është një element thelbësor në parandalimin dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Në studim janë evidentuar edhe kategoritë e rrezikut, ndaj të cilave duhet treguar kujdes, si: individët 65 vjeç e lart, hipertensivët, ata që vuajnë nga sëmundje kardiake, diabetikët, individët obezë dhe ata me histori familjare me nefropati.

Dita botërore e veshkave: ndërgjegjësim mbi parandalimin
Dita botërore e veshkave festohet që prej vitit 2006 me qëllim ndërgjegjësimin e popullsisë mbi kontrollin dhe parandalimin e sëmundjes renale kronike. Farmacistët janë ndër figurat e duhura për edukimin e popullsisë përsa u përket depistimeve të sëmundjeve renale kronike. Së bashku me mjekët dhe infermierët, farmacistët mund t'i japin udhëzimet e duhura popullsisë në lidhje me respektimin e rekomandimeve edhe duke i këshilluar mbi përdorimin e instrumenteve farmakologjike dhe jofarmakologjike.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC