kor292024
Ethet Oropouche. ISS: çfarë duhet të dini mbi virusin, kush rrezikohet dhe si të mbroheni
Sëmundja e virusit Oropouche është një arbovirozë e shkaktuar nga Oropouche (OROV), një virus ARN. U konstatua se virusi qarkullon në zonat e Amerikës qendrore dhe perëndimore, si dhe në Karaibe. OROV mund të transmetohet te njerëzit, kryesisht përmes pickimit të Culicoides paraensis, një dipterë hematofage prej 1-3 mm, e ngjashme me një mushkonjë, që në zonat endemike, gjendet në pjesët e pyllëzuara pranë përrenjve, pellgjeve dhe kënetave, ose pickimit të disa mushkonjave si Culex quinquefasciatus. Asnjë prej këtyre vektorëve nuk është i pranishëm në Evropë për momentin. Gjithashtu, nuk është konfirmuar ende mundësia e transmetimit të virusit nga njeriu te njeriu.
Ministria braziliane e Shëndetësisë ka raportuar dy raste vdekjeje të shkaktuara nga virusi, që aktualisht rezultojnë të parat në botë dhe aktualisht po hetohen gjashtë raste të mundshme të transmetimit vertikal të OROV, të lidhura me abortin spontan, vdekjen fetale dhe/ose mikrocefali. Në vitin 2024, janë regjistruar 7700 raste në botë në pesë vende. Javët e kaluara janë regjistruar disa raste të virusit në Itali, të gjitha të importuara dhe pa pasoja të rënda.
Individët e rrezikuar dhe masat që duhen marrë
Rreziku i infektimit është i pranishëm nëse udhëtohet në vendet ku virusi është i pranishëm (Brazil, Bolivi, Peru, Kubë dhe Kolumbi). Për ata që ndodhen në këto zona rekomandohet ndërmarrja e masave të nevojshme për shmangien e kontaktit me insektet vektorë: përdorni solucione kimike, vishni rroba që mbulojnë krahët dhe këmbët, qëndroni në mjedise që janë të pajisura me rrjeta kundër mushkonjave dhe përpiquni të reduktoni aktivitetin në mjedise të hapura gjatë periudhave të aktivitetit më të madh vektorial (gjatë lindjes së diellit dhe në perëndim).
Simptomat kryesore të infeksionit janë: temperatura, dhimbja e kokës, dhimbja artikulare dhe në çdo rast, fotofobia, diplopia (shikimi i dyfishtë), të përzierat dhe të vjellat. Nëse ktheheni nga vendet ku virusi është i pranishëm dhe shfaqni simptoma, këshillohet të drejtoheni te mjeku, duke specifikuar zonat ku keni qëndruar.