nën252014
Si ta luftoni gripin në tavolinë
E lehtë, e tretshme, e ushqyeshme: kështu duhet të jetë dieta jonë në ditët e para kur na zë gripi. Janë pikërisht tre ditët e para në të cilat vuajmë më shumë simptomat e tij. ''Këshilla e parë, - thotë Pietro Migliaccio, dietolog dhe president i shoqatës italiane të shkencës së ushqimit (SISA), - përveç regjimit të shtratit, duhet të pihet shumë ujë në temperaturën e ambientit, të hahen ushqime të pasura me vitaminë C, si agrumet dhe kivi dhe të konsumohet mish i bardhë e peshk, pra ushqime që treten lehtë. Në dietën e vënë në zbatim nga dietologu përfshihen çdo ditë makaronat, të cilat përveç karbohidrateve i ofrojnë trupit edhe proteina vegjetale dhe një sasi të vogël lipidesh. Brumi i tyre e furnizon trupin me vitaminat e grupit B, përmban pak sodë dhe nuk shkakton kolesterol. Është një nga ushqimet që më së miri përfaqësojnë një burim energjie të dietës mesdhetare. Për këto arsye në ditët kur ndiheni veçanërisht të brishtë për shkak të gripit këshillohen makaronat në trajtën e supës, sepse është më e tretshme dhe ka efektin e qetësimit të kollës. ''Ndërsa në ditët post-grip, - vazhdon Migliaccio, - mund futen makaronat e ziera për të rifituar ''forcat'' e humbura gjatë sëmundjes. Karbohidratet në fakt përbëjnë burimin parësor të energjisë për trurin, muskujt, qelizat e kuqe dhe organizmin në tërësi. Si të gatuajmë makaronat?: Me vaj ulliri dhe domate të freskëta të qëruara (burime shumë të mira të vitaminave A,C,E dhe antioksidantëve). Duke i vënë këto të ziejnë me proteina me origjinë shtazore (si peshk dhe mish viçi) vakti ekuilibrohet nga këndvështrimi ushqyes dhe lejon rikuperimin e masës muskulore të humbur me aktivitetin e munguar fizik.
Dieta për tri ditët e para të gripit
Mëngjesi: qumësht, kafe sipas dëshirës, mjaltë, dy feta të thekura.
Para-dreka: lëng portokalli ose mandarinash të shtrydhura.
Dreka: peshk i freskët dhe perime të gatuara me vaj ulliri e lëng limoni, bukë e thekur dhe fruta.
Pasditja: qumësht i ngrohtë me sheqer (mjaltë) ose lëng portokalli apo qitroje.
Darka: Supë perimesh me makarona (ose oriz), 2/3 lugë djathë të grirë, mish të bardhë, perime të gatuara me vaj ulliri dhe lëng limoni, bukë të thekur, fruta.
Në fazën e shërimit kaloni nga supa te makaronat e ziera, duke shtuar gradualisht sasinë e vakteve, shtoni gradualisht të gjitha ushqimet, mes të cilave djathëra dhe shoqërojini edhe me verë.
Në rast çrregullimesh gastrointestinale
Mëngjesi: çaj me sheqer ose mjaltë, dy feta të thekura.
Para-dreka: një mollë e grirë dhe e përzierë me lëng limoni.
Dreka: peshk i freskët, patate të ziera, të gatuara me vaj ulliri dhe lëng limoni, bukë të thekur dhe fruta.
Pasditja: çaj me biskota me pak sheqer.
Darka: oriz me 2/3 lugë djathë të grirë. Mish i bardhë i gatuar thjeshtë, patate të ziera me vaj ulliri e lëng limoni, bukë e thekur dhe fruta.