Një stil i shëndetshëm jetese dhe ushqyerja korrekte janë kurat nga duhet të nisemi para se të vendosim të marrim barna për kapsllëkun kronik. Është e rëndësishme që pacienti të ndjekë këshillat e një specialisti në mënyrë që dieta të përkufizohet në bazë të kushteve të tij specifike. Kapsllëku kronik është një çrregullim shumë i zakonshëm dhe prek veçanërisht disa kategori: të moshuarit, gratë shtatzëna, por edhe fëmijët. Në rastet kur ai nuk është pasojë e sëmundjeve të tjera gastro-intestinale apo ekstra-intestinale bëhet fjalë për kapsllëk idiopatik (ose funksional). Duket se përfshin 15-20% të popullsisë, por diagnoza ndërlikohet shpesh nga fakti se kapsllëku shfaqet në mënyra të ndryshme: nga një transit intestinal i ngadalësuar, bashkë me sindromën e zorrës së irrituar (Ibs), ose mund të jetë shkak i një pengese ose dis-sinergjie të muskulaturës pelvike. Gjithashtu shumë pacientë, kur i drejtohen specialistit kanë ndërmarrë më parë në mënyrë autonome tentativa të ndryshme që mund të kenë përkeqësuar situatën.
Në rastet e kapsllëkut idiopatik të thjeshtë, një nga trajtimet konsiston në adoptimin e një ushqyerje që lehtëson rikuperimin e funksionimit normal të zorrës. Këshilla është që të ndiqet një dietë ushqimore e tipit mesdhetar, e ndryshueshme dhe ekuilibruar, e pasur me lëngje, perime, fruta dhe e varfër me yndyrna të ngopura, gjithnjë duke respektuar nevojat personale të të sëmurit. Lëvizja, marrja e fibrave, lëngjet dhe kontributi i probiotikëve janë kurat kryesore të këshilluara.
Lëvizja: ka prova të kufizuara shkencore se aktiviteti fizik i kufizuar ndikon në kapsllëkun kronik. Megjithatë është e vërtetë që jeta sedentare e ngadalëson funksionimin intestinal dhe prandaj ecja apo çdo lloj lëvizje tjetër rekomandohet.
Lëngjet: te individët e shëndetshëm, reduktimi i marrjes së lëngjeve ngadalëson funksionimin e zorrëve, por nuk është vërtetuar se shtimi e ngadalëson. Këshilla është që të mbahet një hidratim i mirë pa tejkaluar sasinë e ujit, veçanërisht te të moshuarit.
Fibrat: marrja e 15-30 gr fibrash në ditë, e rekomanduar për popullsinë e rritur, jo gjithmonë mund të tolerohet nga ata që vuajnë nga kapsllëku, sidomos në bashkërendim me sëmundje të tjera (Ibs, fryrje të barkut) Është e rëndësishme që të gjendet sasia dhe lloji i duhur (të tretshme, të patretshme).
Probiotikët: efikasiteti i tyre në kapsllëk varet shumë nga shtami. Lactobacillus casei Shirota, Lactobacillus casei rhamnosus Lcr35, Lactobacillus reuteri (DSM 179389) janë treguar efikasë veçanërisht te fëmijët.
Francesca De Vecchi - eksperte në shkencën e të ushqyerit.