shk32016
Sheqernat, OBSH rekomandon: Jo më shumë se 10% të energjisë totale
Për të kufizuar shfaqjen e sëmundjeve të lidhura me mbipeshën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka propozuar një limit ditor të sheqerit jo më të lartë se 10% të energjisë totale, duke përfshirë të gjitha vaktet dhe pijet që merren gjatë një dite.
Shoqata Italiane për Ushqyerjen (Sinu) thekson se sheqeri mund të fshihet në çdo ushqim të përpunuar: 1 lugë ketchup përmban rreth 4 gr (16 kcal), ndërsa një kanaçe e zakonshme freskuese përmban deri në 40 gr (160kcal) duke tejkaluar kështu edhe nivelet normale të marrjes totale ditore.
Për vitin 2015 objektivi kryesor i OBSH-së ka qenë pikërisht rishikimi i udhëzuesve të saj sa i takon dietës së të rriturve dhe fëmijëve. Molekulat e marra nën shqyrtim janë monosakaride (glukoza dhe fruktoza) dhe disakaride (sakaroza, sheqeri i zakonshëm) të pranishme në ushqime, në pijet e përgatitura, në mjaltë, lëngje frutash dhe në lëngje të përqendruara. Ndërsa nuk hyjnë në këtë grup sheqernat e qumështit, frutave të freskëta dhe ato bimore për të cilat nuk ka prova për efekte anësore.
Me këtë rekomandim që ka edhe një rol adresues për politikat ushqimore të shteteve, OBSH iu jep rëndësi provave se konsumi i sheqerit më i lartë se 10% të energjisë ditore te të rriturit ndikon në shtimin në peshë. E njëjta gjë ndodh te fëmijët të cilët rrezikohen për të zhvilluar mbipeshë, obezitet dhe karies në moshë më të madhe.
Limiti prej 5% ofron më pak prova për reduktimin e riskut për t'u prekur nga sëmundje që lidhen me konsumin e sheqerit. Për këtë të dhënë OBSH ka vetëm një provë të fortë se konsumi i sheqernave mbi limitin e 5% shton shfaqjen e kariesit. Në rrethet shkencore debati është ndezur menjëherë mes atyre në favor të pozicionit të OBSH-së dhe atyre që ftojnë që të mos demonizohet përdorimi i produkteve të përpunuara dhe nuk janë të paktë ata që e konsiderojnë këtë qëndrim në mbrojtje të interesave të industrisë ushqimore. Shqetësimi i OBSH-së është se një konsum i lartë i sheqernave të lira mund edhe të kufizojë zgjedhjen e ushqimeve të ekuilibruara duke çuar në një dietë jo të shëndetshme, rritje në peshë dhe riskun madhor për të zhvilluar sëmundje kronike./D.GJ.